Nuk e paguajnë rrymën shqiptarët e veriut pa e paguar edhe serbët

21:29 | 07 July 2022

Shqiptarët e veriut nuk e paguajnë rrymën pa e paguar edhe serbët.

Në murin e shtëpisë së Skender Sahitit që nga paslufta është e vendosur një kornizë e hekurt ku do të duhej të ishte njehsori i energjisë elektrike. Por, tash e shumë vjet korniza vazhdon të mbetet e zbrazët.

Njehsorët e rrymës për të dhe shumicën e banorëve në fshatin Gushavc të Mitrovicës janë të vendosura në rrugën kryesore. Kjo punë u përfundua vetëm pas marrëveshjes me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS.

Një gjë e tillë ka ndodhur në fshatin Gushavci dhe disa fshatra ngjitur që gjeografikisht i përkasin pjesës veriore nuk e paguajnë rrymën, ngjashëm me banorët serbë. Në marrëveshjen e 7 prillit me Alpin Doga, kryeshef Ekzekutiv i KEDS-it, thuhet se rryma do të paguhet vetëm pasi të zgjidhet problemi me katër komunat veriore, raporton RTV Dukgagjini.

Marrëveshje për këtë çështje ka, por banorët e Gushavcit prapë presin veprime konkrete.

“Ne presim që të zbatohet në teren përndryshe për neve derisa nuk ka zbatim është marrëveshje e papranueshme dhe si e tillë nuk na obligon edhe neve që ta paguajmë rrymën”, deklaron kryetari i fshatit, Skender Sahiti.

Sahiti këmbëngul se pa e paguar faturën secili serb në veri nuk vjen në shprehje pika 2.2 në marrëveshje.

“Deri në zgjidhjen e çështjes së pjesës veriore të Mitrovicës në lidhje me pagesën për energjinë elektrike konsumatorët e fshatit Gushavc, KEDS- nuk do të bëjë shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i KEDS-it për energjinë e konsumuar dhe energjinë do ta konsumojnë deri në marrëveshjen për pjesën veriore. Borxhi i akumuluar deri në kohën e marrëveshjes me pjesën veriorë të Mitrovicës do të përfshihet në marrëveshjen me pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në dokumentin e Skender Sahitit.

Qëndrimin e përfaqësuesit të tyre e mbështesin edhe banorët e Gushavcit.

“Në ditën e parë që serbët fillojnë me e pagu energjinë elektrike ne në ditën e dytë fillojmë me e pagu rrymën. Ne e mbështesin përfaqësuesin e fshatit tonë në çdo qëndrim që ai e thotë”, deklaron Muhamet Hajra.

Marrëveshje të njëjtë me KEDS-in kanë nënshkruar edhe përfaqësuesit e fshatit Vinarc.

“Edhe një herë qëndrimi jonë i qartë dhe nuk ka ndonjë qëndrim tjetër. Kur të paguajnë serbët e pjesës veriore atëherë edhe ne jemi të gatshëm të paguajmë si çdo qytetar i Republikës së Kosovës. Përndryshe gjendja mbetet sikurse që është momentalisht”, shprehet përfaqësuesi i fshatit Vinarcit i Epërm, Lulzim Hasani.

Edhe përfaqësuesi i Vinarcit të poshtëm, Shkelzen Jashari tha se mbështetë qëndrimet e parafolësve. Këtyre fshatrave në fillim të vitit KEDS-i iu kishte dhënë ultimatum për shkyçje nëse nuk e paguajnë rrymën. Kërkesë që u shpërfillë përmes protestave nga banorët, për çka u arrit marrëveshja e 7 prillit.

Komento: