Kadri Veseli e Ramush Haradinaj nuk e takojnë njëri-tjetrin.
Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë takuar në katër sy, edhe javën e fundit kanë heshtur kërkesat për pezullimin e taksës.
Burime të afërta me koalicionin qeverisës i kanë thënë Kohës Ditore se nuk ka pasur vullnet nga ana e Veselit për t’u takuar me kryeministrin, për shkak të refuzimit që ta pezullojë taksën për 120 ditë.
Prej fundit të janarit Veseli dhe Haradinaj janë parë vetëm në takime të përbashkëta me diplomatët ndërkombëtarë, presidentin Thaçi dhe partnerët e tjerë të koalicionit, ku temë qendrore ka qenë kërkesa për heqjen e taksës dhe dialogu me Serbinë.
Të njëjtën ditë, kur Haradinaj pati vendosur kushtet e tij për heqjen e taksës, kryesori, njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, Veseli pas takimit me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, publikoi propozimin për pezullimin e taksës, në mënyrë që t’i jepet shans dialogut me Serbinë. Kishte ndodhur kjo më 28 janar të këtij viti. Madje Veseli pati paralajmëruar se, nëse kryeministri e vë vendin në konflikt me partnerët strategjikë, koalicioni mund të prishet. Por, kryeministri Haradinaj ka thënë se edhe nëse bie Qeveria dhe vendi shkon në zgjedhje, taksa do të mbetet në fuqi. Gazeta ka pyetur në kabinetet e Haradinajt dhe Veselit për mungesën e komunikimit, si dhe për takimet eventuale që nuk janë bërë publike. Por asnjëri nuk ka ofruar përgjigje.