Nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevistë, SBAShK-u do ta marrë këtë vendim

17:39 | 05 October 2022

Kanë kaluar minutat e para të orës 17:00 dhe pagat e mësimdhënësve grevistë nuk janë ekzekutuar.

Nga SBAShK-u thonë se do të ushtrojnë kallëzim penal ndaj Ministrit të Finanave, Hekuran Muratit.

Në një përgjigje për Reporteri.net, Blerim Mehmeti, anëtar i Kryesisë së SBAShK-ut ka konfirmuar se nëse ndodh mosekzekutimi i pagave deri të premtën, atëherë do të ndjekin rrugët ligjore.

“Po do të ushtrojmë kallëzim penal, nëse pagat nuk ekzekutohen, i kemi shkruar ministrit Murati, i kemi kërkuar që pse mos të bëhet ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit grevistë”, tha Mehmeti.

Anëtari i Kryesisë së SBAShK-ut, shtoi se nuk kanë marrë kurrfarë shkrese zyrtare nga Ministria e Financave, sa i përket mosekzekutimit të pagave, pasi siç thotë ai çdo vendim që merret, lëshohet shkresa dhe duhet të ketë edhe të drejtë ankese nga pala.

“Bazuar ne ligjet që i kemi, do të ndjekim rrugët ligjore. Ne akoma s’kemi marrë përgjigje nga Ministria, ku është halli nuk e di, por çdo vendim që e merr dikush duhet të thirret në diçka, duhet të ketë të drejtë ankese brenda 15 ditëve, e ne këtë nuk e dimë pse nuk ka ndodhur kjo gjë”, tha Blerim Mehmeti.

Gjatë ditës, Ministri i Financave, Hekuran Murati u deklarua sot lidhur me pagat e shtatorit për grevistët.

Ai la të kuptohet se pagat nuk do të ekzekutohen as sot.

“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt Murati.

Punëtorët e arsimit ishin për 5 javë në grevë, që nga 25 gushti, e kërkesa e tyre ishte shtesa prej 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga./Reporteri.net

Komento: