Bota nuk është e përgatitur për mot ekstrem.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të motit ekstrem do të ndodhin gjithnjë e më shumë në të ardhmen.
Sipas tyre, bota është më e nxehtë se në kohërat para-industriale dhe kjo i bën më intensive përmbytjet, stuhitë apo valët e nxehtësisë.
Hayley Fowler, ligjëruese e ndryshimeve klimatike në Universitetin Newcastle në Mbretërinë e Bashkuar, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e tilla i ndikon edhe faktori njeri dhe bën thirrje për zvogëlimin urgjent të gazrave serë.
Fowler thotë se vendet, në përgjithësi, nuk janë të përgatitura për mot ekstrem, “nuk kanë sisteme të paralajmërimit, as menaxhimit”.
Ajo tregon hapat që duhet t’i ndërmarrin qeveritë, sepse, siç thotë, ka fshatra dhe qytete, ku njerëzit nuk duhet të jetojnë më, pasi ato “do të përmbyten gjithnjë e më shumë”.
Fowler flet edhe për përmbytjet masive në Gjermani, që shkaktuan numër të lartë viktimash dhe shkatërrime të mëdha.
Radio Evropa e Lirë: Profesoreshë Fowler, ngjarje të motit ekstrem po bëhen të zakonshme në të gjithë botën. Brenda disa ditësh kemi parë përmbytje masive në Evropën Perëndimore, zjarre në Arktik dhe valë rekorde të nxehtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Cili është shpjegimi juaj për këto?
Hayley Fowler: Bota është tashmë 1.2 gradë më e nxehtë se në kohërat para-industriale. Kjo është mesatarja globale. Temperaturat ekstreme rriten me ritme shumë më të shpejta se temperaturat mesatare globale. Për valën e nxehtësisë në Kanada, organizata Atribuimi i Motit në Botë ka nxjerrë një raport, ku thuhet se ajo është pasojë e ndryshimeve klimatike. Pra, është e sigurt se kjo ngjarje është përkeqësuar për shkak të ngrohjes globale.
Pastaj, edhe përmbytjet, si ato që kemi parë javën e kaluar në Gjermani, janë më intensive, për shkak të atmosferës më të ngrohtë në të cilën jetojmë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të parashikohen këto ngjarje në shkallën që ndodhin? Kemi parë që përmbytjet në Gjermani kanë shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime.
Hayley Fowler: Po, përmbytjet në Gjermani kanë qenë shumë mirë të parashikuara nga parashikuesit e motit. Pra, nuk janë shkencëtarët e klimës që ndjekin këtë gjë, por parashikuesit e motit. Ata i kanë parashikuar reshjet ekstreme të shiut në Gjermani që nga e hëna e javës së kaluar. Por – cilado që të ketë qenë arsyeja – paralajmërimet e tyre nuk janë marrë parasysh.
Unë nuk jam e sigurt se ku saktësisht është ndërprerë komunikimi, por reshjet ekstreme të shiut janë parashikuar. Ndoshta paralajmërimet edhe janë dërguar, por njerëzit kanë menduar se nuk do të ketë përmbytje, sepse përmbytje të tilla nuk mbahen mend. Por, ndoshta paralajmërimet edhe nuk janë dërguar. Unë mendoj se duhet një analizë e madhe e kësaj ngjarjeje.
Radio Evropa e Lirë: Këto ngjarje, siç e thatë edhe ju, vijnë në kohën e ndryshimeve klimatike. Por, sa i kanë ndikuar ndryshimet klimatike përmbytjet e fundit në Evropë?
Hayley Fowler: Ndryshimet klimatike i kanë ndikuar këto përmbytje në Evropë, sepse ne po jetojmë në një botë më të nxehtë se në të kaluarën dhe ky fakt i bën ngjarjet e tilla më intensive. Organizata Atribuimi i Motit në Botë do të bëjë analiza për të parë se sa ka ndikuar ngrohja globale në këto përmbytje, por rezultatet do të jenë në dispozicion për rreth një muaj.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndikime edhe nga njerëzit? Mendoj në zhvillimet pranë lumenjve, për shembull.
Hayley Fowler: Po, padyshim. Ne po flasim për përmbytje historike. Por, këto vende janë përmbytur edhe para rreth 70 vjetësh, edhe më herët. Popullsia, ndërkohë, është rritur masivisht dhe në ato pjesë të Gjermanisë, që kanë qenë zona të përmbytura, ka pasur shumë ndërtime.
Për t’i përballuar këto lloje ngjarjesh, nuk duhet ndërtuar në zona përmbytjesh, duhet kuptuar më mirë rrezikun e mundshëm për komunitetet dhe duhet pasur sisteme më të zhvilluara të paralajmërimit dhe menaxhimit të emergjencave.
Radio Evropa e Lirë: Sa të përgatitura janë vendet për t’u përballur me motin ekstrem?
Hayley Fowler: Nuk duket sikur jemi shumë mirë të përgatitur. Në Mbretërinë e Bashkuar, disa javë më parë, kishte një raport nga Komiteti për Ndryshimin e Klimës, i cili analizoi shpejtësinë me të cilën Britania e Madhe po përshtatet në trajtimin e ngjarjeve të tilla të motit ekstrem. Ka dalë se hendeku po zgjerohet – rreziqet rriten, ndërsa ne nuk ndërmarrim veprime. Unë dyshoj se kështu është rasti me shumicën e vendeve të botës.
Ne thjesht nuk kemi në dispozicion sisteme të paralajmërimit dhe menaxhimit të këtyre fatkeqësive dhe sigurisht që nuk kemi menduar mjaft mirë në përshtatjen e infrastrukturës.
Radio Evropa e Lirë: A do të shohim më shpesh këtë lloj moti ekstrem?
Hayley Fowler: Puna që unë dhe ekipi im kemi bërë me Zyrën Meteorologjike në Mbretërinë e Bashkuar, për më shumë se një dekadë tani, sugjeron se do të kemi më shumë ngjarje si këto. Do të shohim stuhi shiu shumë më intensive në të ardhmen. Do të shohim stuhi erërash dhe, rrjedhimisht, akumulime më të mëdha të të reshurave. Për këtë arsye, padyshim se edhe rreziku nga përmbytjet do të rritet.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, si duhet t’i përshtatemi këtij moti ekstrem për të zvogëluar rrezikun?
Hayley Fowler: Është e vështirë. Siç e thashë edhe më herët, ne duhet të mendojmë së pari për paralajmërimin e emergjencave dhe menaxhimin. Kur i parashikojmë këto ngjarje dhe e dimë se do të ketë përmbytje të rënda, duhet t’i largojmë njerëzit. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë: të shpëtojmë jetë.
Pastaj, duhet të mendojmë për shtëpitë e reja. Nuk duhet të ndërtojmë shtëpi të reja në zona përmbytjesh ose zona që janë në rrezik nga ngjarjet e motit ekstrem. Ndoshta ka edhe disa pjesë, fshatra ose qytete, ku njerëzit nuk duhet të jetojnë më, sepse ato do të përmbyten gjithnjë e më shumë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të bëjnë qeveritë? Çfarë hapash duhet të ndërmarrin ato?
Hayley Fowler: Qeveritë duhet të bëjnë dy gjëra. E para – që është jashtëzakonisht urgjente – duhet të miratohen politika dhe të financohen teknologji të reja, për të zvogëluar sasinë e gazrave serë që ne i përdorim si shoqëri. Pra, duhet të zvogëlojmë masivisht sasinë e gazrave serë që ne përdorim. [V.j. gazrat serë, sipas shkencëtarëve, ndikojnë në ngrohjen globale]. Çdo zvogëlim që bëjmë tani, do të zvogëlonte sasinë e këtyre ngjarjeve ekstreme të motit në të ardhmen.
Së dyti, brenda të gjitha politikave qeveritare duhet të adaptojmë edhe klimën. Duhet të mendojmë, për shembull, se si t’i bëjmë shtëpitë më fleksibile ndaj valëve të nxehtësisë në të ardhmen, më fleksibile ndaj përmbytjeve. Ne duhet ta kuptojmë se cilat janë rreziqet aktuale.
Radio Evropa e Lirë: Kjo që ka ndodhur në Evropë javën e kaluar, a mund të shërbejë si leksion për të vepruar më shpejt?
Hayley Fowler: Mendoj se po. Ngjarjet ekstreme të motit po ndodhin me rregullsi gjithnjë e më të madhe në të gjithë botën. Këtë vit janë thyer shumë rekorde. Kjo duhet të jetë zile zgjimi për qeveritë në të gjithë botën, që të veprojnë për të zvogëluar emetimet e gazrave serë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ngjarjet e fundit janë vetëm një shenjë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen./REL