Nuk është sulmi, ky është çelësi i suksesit të Liverpoolit

15:07 | 22 Dhjetor 2018

Liverpool do të jetë në krye të Premier League për Krishtlindje, pas tre pikësh të tjera marrë në Molineux, fitorja e shtatë rresht në kampionat për The Reds, që shtojnë presionin mbi Manchester City-n.

Nuk ishte një ndeshje fantastike, për shkak të rrebeshit, por Salah e Van Dijk shënuan dy gola të bukur dhe skuadra e Jurgen Klopp nuk pësoi gol për të 11-tën ndeshje këtë kampionat. “Një paraqitje plot pjekuri”, tha Klopp pas ndeshjes dhe nuk e kishte gabim.

Ndeshja u vendos nga dy lojtarët më të mirë në fushë dhe nëse nuk e keni kuptuar ende, The Reds po kthehen në një skuadër të vërtetë, të kompletuar dhe me vetëdijen se mund të fitojë ndaj çdo rivali, duke u mbështetur edhe te dy yje të klasit botëror si Salah e Van Dijk.

Salah është tashmë një superstar, nuk ka nevojë të shkruhet pa fund për cilësitë dhe shifrat e tij impresionuese. Mund të flitet shumë më tepër për paraqitjen perfekte të Van Dijk, i cili në këtë moment nuk ka rival në planet, në rolin e tij.

Është 27 vjeç, në janar 2018 u ble për 84 milionë euro nga Southampton dhe tashmë kushdo që rrudhte buzët për atë shifër ka ndryshuar mendim. Jo vetëm kaq, por tashmë të gjithë e shohin qartë se Van Dijk bën repart i vetëm dhe ka ndryshuar gjithçka te Liverpol.

Një legjendë e Liverpool-it, Jamie Carragher, tha pas ndeshjes kundër Wolves: “Van Dijk i bën lojtarët rreth tij që të luajnë më mirë.
“Tony Adams i bënte mbrojtësit e Arsenalit të dukeshin yje, Van Dijk bën të njëjtën gjë. Ai është i pandalshëm,”, ka thënë Carragher./ORAinfo/

Komento: