“Trepça s’guxon të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi”.
Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, në një intervistë, duke potencuar se çdo vendim për Trepçën është vendim sovran i Parlamentit të Kosovës dhe si i tillë nuk ka çka të bisedohet lidhur me Trepçën.
“Është një pjesë e rëndësishme, pra Trepça në veri të Kosovës dhe si e tillë ne kemi vazhduar dhe kemi regjistruar edhe ligjin mbi Trepçën dhe jemi në proces të regjistrimit të Trepçës, prandaj duke qenë pjesë e sovranitetit të Kosovës, Trepça nuk është temë që guxon të përdoret në tryezën e bisedimeve sepse nuk ka asnjë arsye. Çdo vendim për Trepçën është vendim sovran, është vendim i Parlamentit të Kosovës dhe si të tillë, nuk kemi çka të bisedojmë lidhur me Trepçën”,ka thënë ministri Lluka, për Ekonomia Online.
Lluka tha se Trepça është tërësisht në territorin e Kosovës, ku 80 për qind të këtyre aksioneve i bartë Qeveria e Kosovës ndërsa 20 për qind punëtorët e kësaj ndërmarrje.
“Trepça është një aset i Kosovës tërësisht në territorin e Kosovës dhe është një ndërmarrje të cilën Qeveria e Kosovës ka aksione rreth 80 për qind kurse punëtorët e Trepçës i kanë rreth 20 për qind”, tha ai.
Lluka thotë se është i bindur se kjo ndërmarrje do të ecë tutje në bashkëpunim me pjesën veriore.
“Trepça ka tashti programin zhvillimorë, do të ecë tutje, kemi bashkëpunim edhe me pjesën veriore, nuk është një bashkëpunim që mungon dhe si të tillë ne do ta vazhdojmë zhvillimin e Trepçës. Gjithashtu mos të harroj ta përmendi faktin se Trepça i ka 9 anëtarë të bordit, ne i kemi përzgjedhë gjashtë dhe tre vende i kemi lënë të lira për t’i përfaqësuar minoritetin serb për shkak të rëndësisë që ka Trepça në anën e veriut dhe si të tillë çdo tendencë politike për ta dëmtuar imazhin e Trepçës dhe për ta fut në tryezën e diskutimeve do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për vendin”, ka shtuar Lluka.
Ministri Lluka theksoi se njësia e Trepçës në veri, Jug dhe Kishnicë janë pjesë e përgjithshme e Trepçës.