Nuk kalon rezoluta e opozitës për grevën, Vetëvendosja voton kundër

11:46 | 23 Shtator 2022

Rezoluta e PDK-së për Grevën e përgjithshme të sindikatave nuk ka kaluar në seancën e mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës.

Kjo rezolutë ka marrë vetëm 22 vota për, 39 vota kundër, dhe 6 abstenime. Kundër kësaj rezolute kanë votuar deputetët e partisë në pushtet.

Në seancën e djeshme ka pasur debat parlamentar në lidhje me grevën në arsim. Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria që sa më parë të gjejë zgjidhje për dalje nga situata, e në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se greva po përdoret nga opozita si armë kundër Qeverisë së tij.

Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë po ashtu që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Dhe në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi dje në seancë parlamentare shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Përveç kësaj rezolute, në rend të ditës janë edhe disa Projektligje të mbetura nga seancat e kaluara, një ndër to edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Pas votimit të rezolutës seanca fillon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 15 shtator 2022.

Komento: