“Nuk kishte armë”, detaje të reja rreth vdekjes se dy të rinjve në një vilë në Pejë

21:00 | 30 Dhjetor 2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në Pejë, ku dy persona të gjinisë femore dhe mashkullore janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka dhënë detaje për veprimet e ndërmarra nga autoritetet në vendin e ngjarjes.

Ai tha se sapo është pranuar informacioni, Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se personat ishin pa shenja jete në një motel

Në vendngjarje kanë dalë gjithashtu kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda, ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar provat që do të shërbejnë në hetime të mëtejshme.

Sipas Nikçit, janë identifikuar dëshmitarët, ndërsa Mjekësia Ligjore është ftuar për të tërhequr trupat e pajetë dhe do të kryejë autopsinë me urdhër të prokurorit të shtetit.

Në vend të ngjarjes nuk është hasur ndonjë armë e zjarrit dhe se viktimat nuk kanë pasur shenja të dhunës.

Ai theksoi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të jepen detaje të tjera në këtë fazë.

“Me të pranuar informatën menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, dyshohet se ishin pa shenje jete në një motel. Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes duke siguruar provat të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtutjeshme. Njëkohësisht janë identifikuar dëshmitarë, është ftuar Mjekësia Ligjore për t’i tërhequr trupat e pajetë dhe me urdhër të shtetit të bëhet autopsia. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të jepen detaje më shumë”, u shpreh Nikçi.

Komento: