Nuk mund të marrin dy lloj pensionesh, këto janë ankesat e tyre

22:53 | 10 March 2019

Kategoritë që s’po mund të marrin dy lloje pensionesh janë ankuar.

Fana Beqiraj nga Rracaj e Gjakovës, ka të humbur krejtësisht shikimin tash e 20 vjet. Pos kësaj dhimbjeje, ajo ende vuan për humbjen e djalit të saj 16-vjeçar, Arsim Beqiraj, i cili iu vra në luftë.

Përveç vështirësive e dhimbjeve, ajo tregon se u detyrua të zgjedhë se cilin pension dëshiron ta gëzojë, atë që i takon për shkak të verbërisë apo pensionin si familjare e dëshmorit.

Duke e konsideruar si padrejtësi të madhe, pasi po i mohohet marrja e dy pensioneve, Fana Beqiraj thotë se nuk është e interesuar për para.

Por, me këtë, ajo pohon se po humbet kontributi që e kanë dhënë si familje e që i ka kushtuar me humbjen e djalit të saj.

Ajo po kërkon që ligji i cili ia ndalon marrjen e dy pensioneve të ndryshohet.

Kjo dhe shumë kërkesa të tjera të kategorive të ndryshme që përfitojnë nga skema pensionale, u janë drejtuar tashmë ligjvënësve.

Deputetja Teuta Haxhiu thotë se do të bëjnë përpjekje maksimale që të bëhen ndryshimet e nevojshme në gjithë pakon e ligjeve të skemës pensionale.

Edhe hartuesja e koncept-dokumentit për reformën e skemës pensionale, Ministria e Punës, ka paraparë mundësinë e lejimit të marrjes së dy pensioneve.

Koncept-dokumenti për reformën pensionale është dërguar tashmë në Kuvend, i cili edhe ka themeluar javë më parë komisionin që do të merret me këtë çështje.

Komento: