Nuk mund t’i mbajnë lotët, kolegët dhe drejtoresha e shkollës flasin për Linditën

18:15 | 13 May 2019

Lindita Preteni është mësuesja 24 vjeҫare nga Mitrovica, e cila sot humbi jetën.

Sot në Mitrovicë iu dha lamtumira e fundit, mësueses Lindita Preteni.

24-vjeçarja vdiq mbrëmjen mes të dielës e së hënës sa ishte në gjumë.

Kolegët e saj e kujtojnë atë me fjalët më të mira, ndërkaq, në shkollën ku ajo kishte dhënë mësim sot u mbanë vetëm dy orë.

Në klasën e parë, aty ku mësuesja Lindita Preteni jepte mësim, të hënën gjithçka ishte e qetë.

Mësuesja 24-vjeçare arriti t’ia mësonte nxënësve të saj të gjitha shkronjat e alfabetit, e i përgatiti për festën e abetares, por, që festën për të njëjtën nuk do ta bëjnë së bashku.

Mësuesja e tyre, 24-vjeçarja, Lindita Preteni ndërroi jetë sa ishte në gjumë.

Shkolla fillore “Fazli Grajqevci”, paralelja në Vërnicë të Mitrovicës, sot i mbajti vetëm dy orë mësim.

Personeli i shkollës, përmes një shkrimi të vendosur në dyer të shkollës njoftoi nxënësit e prindërit, që shkaku i një rastit, mësimi nuk do të mbahet si zakonisht.

Brenda në objekt, pa nxënësit, gjithçka ishte e qetë. Kolegët e Lindita Pretenit e kujtojnë të ndjerën me fjalët më të mira.

Mes lotësh ata kanë treguar, se 24-vjeçarja njihej si vajzë shumë punëtore.

“Kena qenë të kënaqen me punën e saj, me aktivitetin e saj, edhe si nxënës edhe stafi i arsimtarëve kanë qenë të kënaqur me këta. Në ditën e fundit ka qenë shumë e hareshme, gjithë kohën ka nejtë vetëm tu kesh, tu ba hajgare”, tha njëri nga kolegët e Linditës.

Për të njejtë flet edhe kolegia e saj. Ajo shton se ditën e fundit Lindita kishte qenë shume e hareshme e po përgatiste nxënësit për festën e abetares

“Linditën e kujtoj si një vajzë shumë të hareshme me plot dëshirë dhe me vullnet për jetë, ka qenë shumë e afërt si me neve si me nxënësit, herën e fundit që veç kemi qëndru bashkë ka qenë të premten kur ajo po i pregadite nxënësit për festën e abetares, tu vallëzu e tu kesh bashkë me nxënësat”, tha kolegia e të ndjerës.

Klasa e 1/5 nuk do vazhdojnë më rrugëtimin e tyre shkollor me mësuese Linditë.

Edhe pse ajo ishte mësimdhënëse e klasës paralele në Vernicë të Mitrovicës, i donte e i respektonte kolegët e tjerë në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol.

Drejtoresha e kësaj shkollë Nexhmije Kurti thotë se kujtimet ndaj mësimdhënëses që humbi jetën në moshë të re, kurrë nuk do të shuhen.

“Ka qenë një vajzë shumë punëtore, ambicioze që e ka dashtë shumë punën, i ka dashtë shumë nxanasat e saj po është shumë e dhimbshme që smujti me i realizu ëndrrat e sajna”, thotë Kurti.

Si vajzë plotë sharmë e vullnet për jetën Linditën e kujton edhe një shoqe e kolege e saj.

“Ajo ka qenë një vajzë e mrekullueshme kujtimi për të do të mbetet gjithmonë si engjëllore sepse e tillë ka qenë”, shton ajo mes lotësh.

24 vjeçarës Lindita Preteni ui dha lamtumira e fundit në Mitrovicë e më pas shkolla organizuan edhe një akademi përkujtimore për të ndjerën.

Komento: