Nuk ndalen provokimet, serbët në veri vendosin portrete të Putinit

22:35 | 30 September 2021

Gjendja në veri të Kosovës po vazhdon të jetë jo stabile.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

11 ditë më pas, në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë por gjendja në dy pikat kufitare nuk ka ndryshuar shumë.

Barrikadat ende nuk janë larguar derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale vazhdojnë të patrullojnë në atë pjesë të Kosovës.

Edhe pse moti ishte i ligë, edhe patrullimet e ushtarëve të KFOR-it nuk kanë munguar. Por ajo që ka rënë në sy ditëve të fundit janë disa portrete të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të vendosur në tendat dhe objektet ku qëndrojnë protestuesit serb.
Gazetarët e RTV Dukagjinit kanë kapur këto pamje me imazhin e presidentit rus.

Ambasadori rus në Serbi para disa ditësh bashkë me ministrin serb të Mbrojtjes kishte vizituar njësitet ushtarake serbe që ishin dislokuar në afërsi të kufirit me Kosovës.

Kujtojmë ditë më veri ishin kapur dhe dëbuar tre agjentë rusë që me vete mbanin pajisje kibernetike.

Për këtë afërsi të Serbisë me Rusinë ka pasur edhe reagime nga bota demokratike perëndimore.

Komento: