Nuk ndalën punësimet, tani kunata e Limajt ‘rehatohet’ në BQK

19:24 | 22 March 2019

Në BQK punon edhe kunata e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Një tjetër kunatë e nivelit të lartë është rehatuar në një institucion publik.

Mirjeta Namani-Limaj, që nga fundviti i 2018-s, zyrtarisht është bërë punëtore e Bankës Qendrore të Kosovës, raporton KTV.

Ajo është gruaja e Florim Limajt, vëllait të vogël të kreut të Nismës Socialdemokrate të Kosovës dhe zv/kryeministrit Fatmir Limaj.

KTV-ja ka provuar të vë kontakt me Mirjeta Namani-Limajn, për të kuptuar se si arriti të bëhet pjesë e institucionit me të lartë financiar në vend.

Por, bashkëshorti i saj, ka thënë se nuk kemi pse e kontaktojmë atë.

Ai, nëpërmjet telefonit, i ka thënë KTV-së se Namani-Limaj u është nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta të konkursit dhe është pranuar në mënyrë të pavarur.

Florim Limaj, ndër të tjerash, ka treguar se bashkëshortja e tij është juriste.

Kohavisioni ka pyetur edhe kunatin e Mirjeta Namanit, zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, nëse përdori autoritetin e tij për këtë punësim.

Por, i njëjti ka thënë se kunata e tij ka përvojë pune mbi 15-vjeçare.

“Po, ajo qe 15 vjet punon në institucione të ndryshme të vendit”, ka shkruar Limaj në përgjigjen e tij përmes sms-it.

Banka Qendrore e ka pranuar se Namani – Limaj është punësuar në bazë të konkursit të shpallur në shtator dhe thotë se ajo ka përvojë pune 5-vjeçare në institucionet publike.

“Mirjeta Namani-Limaj është punësuar në BQK, sipas konkursit të shpallur me datë 5 shtator 2018, në pozitën zyrtare për pranim dhe protokollim-SMI, në Departamentin e Administratës. Ju informojmë se e punësuara, para punësimit në BQK, ka pasur mbi 5 vjet përvojë pune në institucionet publike”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK –ja ka insistuar në atë që nuk ka valë punësimesh, por vetëm plotësim të pjesshëm të pozitave vakante të krijuara si pasojë e pensionimit, dorëheqjeve të stafit ose zhvillimit të funksioneve të reja.

Ndërkaq, sipas tyre, komisionet e rekrutimit të personelit në BQK përbëhen nga tre anëtarë profesionalë, që vijnë nga njësi të ndryshme organizative brenda BQK-së.

Komento: