
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me tone jashtëzakonisht të ashpra pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në Hagë për të dënuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së me dënim të rëndë.
Përmes një shkrimi në X, Rama u është përgjigjur interesimit të miqve nga Prishtina se përse nuk kishte reaguar ende mbi lajmin e bujshëm të ditës, ku Prokuroria kërkoi rreth 45 vite burg për Thaçin.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?!
Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!” – shkroi Rama.