Nuk po funksionon ligji për ndalimin e lojërave të fatit, ja sa persona u prangosën për 5 muaj

14:32 | 18 August 2019

Duket se ligji për ndalimin e lojërave të fatit nuk po funskionon.

Që nga marsi i këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’u vërë drynin të gjitha lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit, respektivisht basteve sportive dhe kazinove.

Por pavarësisht faktit se tashmë kjo është veprimtari e paligjshme në vend, disave nuk po u pengon që ta ushtrojnë.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit, ka pasur plot raste kur policia ka ndërmarrë aksione për mbylljen e lokaleve dhe prangosjen e personave të cilët po e ushtrojnë jashtëligjshëm këtë veprimtari.

Për pesë muaj janë iniciuar 19 raste dhe janë prangosur 33 persona.

Janë siguruar statistikat nga Policia e Kosovës të cilat thonë se që nga muaji mars janë evidentuar dhe mbyllur të gjitha lokalet që merren me veprimtari të jashtëligjshme të lojërave të fatit.

“Drejtoria për Hetimin e Veprave Ekonomike dhe Korrupsionit, pas përfundimit të operacionit gjithëpërfshirës në tërë territorin e R. Kosovës të datës 22.03.2019, me ç’rast janë identifikuar dhe mbyllur të gjitha lokalet që merren me veprimtari të dyshuar penale që bien në domen të organizimit të skemave piramidale”, kanë thënë nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq në përgjigjen e policisë theksohet se që nga 22 marsi janë iniciuar 29 raste të dyshuara për organizim të lojërave të fatit dhe janë prangosur 33 persona.

“Në proces kemi vazhduar që të ndërmarrim veprime shtesë konform autorizimeve ligjore. Nga koha e sipër cekur deri më sot, janë iniciuar 29 raste, të dyshuara për veprën penale: “Organizim te skemave Piramidale”, janë prangosur 33 persona dhe janë ngritur 24 kallëzime penale për 37 persona te inkriminuar në këtë figurë të veprës penale”, thekson policia.

Ndërkaq aksioni i fundit i policisë është zhvilluar mbrëmjen e 10 korrikut në Gjakovë. Aksioni i quajtur “Basti” i ka prangosur tetë persona të cilët dyshohej se po organizonin veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Po ashtu në Gjakovë u bastisën nëntë lokacione në të cilat dyshohej se po organizoheshin lojërat e fatit.

Një ndër lokacionet që është bastisur ishte edhe një lokal që funksiononte si ëmbëltore ndërkaq dyshohej se edhe aty zhvillohej veprimtari ilegale e lojërave të fatit.

Lojërat e fatit cilësohen si veprimtari e jashtëligjshme pas shfuqizimit të Ligjit për Lojërat e Fatit të iniciuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky ndryshim i Ligjit ka ardhur si pasojë e vdekjes së dy të rinjve pikërisht në lokalet e lojërave të fatit.

Kuvendi i Kosovës e kishte votuar shfuqizimin e Ligjit që ua lejon lojërave të fatit veprimtarinë brenda territorit të Kosovës, ndërkaq ka hyrë në fuqi Ligji i cili e ndalon këtë veprimtari në për 10 vjetët e ardhshme.

Komento: