Numër i lartë i gjobave ndaj qytetarëve brenda një viti ndaj masave antiCOVID

11:45 | 09 Maj 2021

Më 14 gusht të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, që parasheh dënime për shkelësit e rregullave dhe masave të caktuara nga institucionet gjegjëse, shkruan Gazeta Metro.

Dy javë më vonë, më datë 28 gusht të 2020’ës, ligji hyri në fuqi dhe filloi mbikëqyrja e respektimit të tij nga policia e Kosovës, inspektoriati dhe institucionet e tjera.

Që nga ajo ditë e deri më datë 6 maj, policia e Kosovës ka shpërndarë hiç më pak se 189,931 mijë fletëparaqitje ose dënime në bazë të këtij ligji.

Kështu kanë detajuar Zyra për Informim të Mediave e Policisë së Kosovës në një përgjigje për Gazetën Metro.

“Bazuar në angazhimet policore përveq realizimit të fushatave senzibiliziuese dhe dhenies se verejtjeve, Policia e Kosovë bazuar ne ligjin per parandalimin dhe luftimin e pandemise COVID-19, ne tere territorin e RKS nga data 26.08.2020 deri me 06.05.2021 ka shqiptuar 189931 Fleteparaqitje (tiketa) në baze te ligjit anti COVID, ndaj atyre qe kane rene ndesh me ligjin.”, thotë nga policia e Kosovës për Gazetën Metro.

Policia e Kosovës gjithashtu është zotuar se do të vazhdojë mbikëqyrjen në detaje të respektimit të ligjit sipas urdhërit operativ policor të quajtur “Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19.

“Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19″. Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim. Policia përmes planifikimeve operacionale dhe veprimeve ne teren ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, prevëntimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas ligjit në fuqi, mosmbajtja e maskës në publik sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë kushton 35 euro, e poashtu me 35 euro gjobitet edhe mosmbajtja e distancës.

Dënimi më i lartë është për ata që nuk e respektojnë ndalimin e qarkullimit pas orës policore që edhe aktualisht është në fuqi. 200 euro është dënimi për secilin që nuk e respekton këtë masë.

Ndërsa, dënimi më i lartë është për personat që shkelin masën e izolimit shtëpiak pas konfirmimit pozitiv në testin për koronavirus. Sipas këtij ligji, këta persona dënohen me 500 euro gjobë.

Sot pritet që institucionet e Kosovës të marrin vendim të ri lidhur me masat anti-Covid në fuqi.

Komento: