
Një rast i ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare është shënuar më 22 prill 2026 në Shtime, ku një nxënës 15-vjeçar ka dorëzuar në polici një shumë parash që kishte gjetur rastësisht.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, i mituri me inicialet N.SH., teksa po kalonte në rrugën “Tahir Sinani”, ka gjetur 180 euro.
“Pa hezitim, ai është drejtuar në stacionin policor në Shtime për t’i dorëzuar paratë e gjetura, duke treguar integritet dhe vetëdije të lartë qytetare. Pas veprimeve të shpejta nga zyrtarët policorë, është bërë e mundur identifikimi i pronares së parave, qytetares F.H. nga Shtimja. Në prani të policisë, shuma e plotë i është kthyer asaj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje bëhet e ditur se pronarja ka shprehur mirënjohje për gjestin e nxënësit, ndërsa Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka vlerësuar këtë veprim si shembullor. Sipas policisë, rasti dëshmon rëndësinë e edukatës familjare dhe besimit në institucione, duke theksuar se veprimet e ndershme mbeten vlera të çmuara në shoqëri.
