
Një sukses i veçantë vjen nga Shkolla Fillore “Asdreni” në Pejë, ku nxënësi Fron Shala ka arritur të certifikohet me sukses në një program prestigjioz ndërkombëtar.
Froni ka përfunduar kursin shkencor “SPU30x: Super-Earths and Life” në platformën HarvardX, pjesë e Harvard University, duke dëshmuar njohuri të avancuara në fushën e astronomisë që në moshë të hershme, raporton Klankosova.tv.
Në njoftimin e kësaj shkolle thuhet se, përmes këtij kursi, nën mentorimin e profesorëve më të mirë të astronomisë si Dimitar Sasselov, Froni ka eksploruar tema komplekse mbi kërkimin e planetëve jashtë sistemit tonë diellor dhe kushtet e jetës në gjithësi.
“Kjo certifikatë e verifikuar nuk dëshmon vetëm njohuritë e tij të thella në shkencë, por edhe përkushtimin, disiplinën dhe vullnetin për të ndjekur standardet më të larta akademike botërore që në moshë të hershme. Si shkollë, ndihemi krenarë që nxënësit tanë si Froni po dëshmojnë se me punë dhe ambicie, rruga drejt institucioneve më elitare të botës është e hapur. Urime Fronit! Vazhdo të na bësh krenarë me rrugëtimin tënd drejt dijes”, thuhet në njoftim.