Nxënësit po rrezikohen nga një shtyllë elektrike

18:53 | 01 April 2019

Një shtyllë elektrike po rrezikon jetën e nxënësve dhe kalimtarëve.

Rreth 500 nxënësve që ndjekin mësimet në shkollën “Kongresi i Manastirit”, në Gllamnik të Podujevës, u rrezikohet jeta çdo ditë.

Gjithë kjo shkaku i një shtylle elektrike të vjetruar që gjendet para kësaj shkolle, e që mbahet vetëm me një dru.

Përveç nxënësve, jeta i rrezikohet edhe secilit qytetar që kalon kësaj rruge.

Në Komunën e Podujevës thonë se janë të informuar për rrezikun që paraqet kjo shtyllë, derisa deklarojnë se do të intervenojnë sa më parë për zgjidhjen e këtij problemi.

Shtylla elektrike e vjetruar që gjendet në oborrin e Shkollës “Kongresi i Manastirit”, në Gllamnik të Podujevës, po rrezikon jetën e shumë nxënësve që vijojnë mësimet në këtë shkollë.

Secilit prej nxënësve që hynë apo del nga objekti i kësaj shkolle rrezikohet nga kjo shtyllë, që aktualisht mbahet vetëm me një dru.

Përveç nxënësve, jeta po u rrezikohet edhe kalimtarëve të tjerë e vozitësve që kalojnë përgjatë kësaj rruge.

Shqetësime për gjendjen e kësaj shtyllë kanë ngritur edhe në Drejtorinë e Shkollës.

Drejtori i Shkollës “Kongresi i Manastirit”, Ajet Ajeti i ka thënë Gazetës Express se ata kanë bërë disa herë ankesë që të rregullohet shtylla, por ato nuk janë marrë parasysh.

Madje, thotë se në oborrin e shkollës që drejton kishin dashur që të vendosnin edhe trafo, por se ai nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.

“Kemi ba ankesë me shkrim e me gojë, por nuk është marrë parasysh. Janë arsyetuar se është duke u rregulluar rruga. Ajo shtyllë është aty, që prej se ka fillu me u ndërtu rruga. Madje, patën dashtë me vendosë edhe trafo në oborr të shkollës, vetëm se nuk i pata lejuar”, tha ai.

Ajeti deklaron se shtylla elektrike është në gjendje të tillë që një vit. Por, thotë se askush nuk e ka ndërmarrë ndonjë veprim për ta ndërruar.

Shkolla “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik

E se kjo shtyllë po e rrezikon jetën e nxënësve tash e sa kohë, janë të njoftuar edhe në Komunën e Podujevës, përkatësisht Drejtorinë për Arsim.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi i ka thënë Gazetës Express se Drejtoria Komunale e Arsimit është e njoftuar për rrezikun që paraqet shtylla e rrjetit elektrik te oborri i kësaj shkolle.

Elezi deklaron se Drejtoria komunale e Arsimit do të kërkojë nga KEDS-i që sa më parë të intervenojë në zgjidhjen e këtij problemi.

“Komuna është e informuar se me kërkesën e drejtorisë së shkollës KEDS-i ka intervenuar, duke i vendosur shtyllës një shtyllë mbrojtëse të përkohshme. Ndërkohë drejtoria e shkollës ka bërë një kërkesë me shkrim, përmes së cilës kërkon që kjo shtyllë, e cila paraqet rrezik, të zëvendësohet me një shtyllë të re. Edhe Drejtoria komunale e Arsimit do të kërkojë nga KEDS-i që sa më parë të intervenojë në zgjidhjen e këtij problem”, ka thënë Elezi.

Por, edhe pas më shumë se gjashtë muajve gjendja e kësaj shtylle vazhdon të mbetet e njëjtë, që nga koha kur edhe ishte vendosur.

Komento: