“Nxitje e urrejtjes” në Gazimestan, 37 persona përfunojnë në gjykatë pas intervistimit nga policia

19:47 | 28 Qershor 2026

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se manifestimet e mbajtura të dielën me rastin e Vidovdanit kanë përfunduar pa incidente që do të ndikonin në situatën e sigurisë, ndërsa 37 persona janë shoqëruar në stacion policor për intervistim pas thirrjeve provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes.

Sipas njoftimit të Policisë, për mbarëvajtjen e aktiviteteve janë ndërmarrë me kohë masa planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

Autoritetet policore kishin paraparë masa planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operativo-hetimore në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, me qëllim që manifestimet në lokacionet e parapara të zhvilloheshin qetë dhe pa incidente.

Policia njofton se, bazuar në raportimet nga njësitet e angazhuara në terren, nuk është evidentuar asnjë rast që ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim, pasi ata, sipas Policisë, provokuan pjesëmarrësit me thirrje provokuese që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Po ashtu, një person është gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku pas intervistimit 37 persona janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit nga gjykata”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites, të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.

Në fund, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar përkushtimin për garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në funksion të krijimit të një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Pas arrestimit të disa serbëve në Gazimestan kanë reaguar Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Për këtë veprim, të cilin e përjetojmë si një përpjekje për frikësim dhe si dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, kemi njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë, nga të cilët kemi kërkuar të angazhohen urgjentisht dhe të kërkojnë lirimin e të gjithë të arrestuarve”, thuhet në deklaratën e partisë politike që përfaqëson serbët e Kosovës.

Komento: