OBSH ka thënë se vaksina s’mund të pritet para fillimit të vitit 2021.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se hulumtuesit janë duke bërë përparim të mirë në zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit, porse përdorimi i saj i parë nuk mund të pritet deri në fillim të vitit 2021.
Mike Ryan, drejtor i programit për emergjenca pranë OBSH-së, tha se është jetike që siguria të mos vihet në pikëpyetje, edhe nëse kjo nënkupton ngadalësimin e zhvillimit të vaksinës.
“Duhet të jemi në gjendje ta shohim veten në sy dhe duhet të jemi në gjendje t’i shohim komunitetet tona dhe t’i sigurojmë se kemi ndërmarrë çdo masë paraprake që këto vaksina të jenë të sigurrta dhe efektive, përpara se t’i jepen popullsisë së përgjithshme”, u tha Ryan gazetarëve.
“Do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm kur do të fillojmë të shohim njerëz të vaksinuar”, tha ai.
Ryan tha se disa vaksina të mundshme janë në fazat e treta të testimit dhe se asnjëra nuk ka dështuar në aspektin e sigurisë ose aftësisë për të nxitur reagimin e sistemit imunitar.
Dhjetëra vaksina kundër koronavirusit janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën.
Këtë javë, Universiteti i Oksfordit ka bërë të ditur se vaksina që ka zhvilluar ai, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.
Zyrtarët përgjegjës kanë thënë se testimi në njerëz ka treguar se pas injektimit të vaksinës, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.
Megjithatë, ata kanë thënë se është ende herët të dihet nëse vaksina është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje.