OBSH kërkon që vaksinat kundër Covid-19 të shpërndahen në mënyrë të barabartë.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve dhe prodhuesve që dozat e vaksinave t’i shpërndajnë në mënyrë më të barabartë në të gjithë botën.
Ai tha se perspektivat për shpërndarje të barabartë janë në “rrezik serioz”.
Tedros i bëri komentet në hapje të takimit vjetor të Bordit Ekzekutiv të OBSH-së.
Skema e OBSH-së për shpërndarjen e vaksinave, e njohur si COVAX, synon të nisë aktivitetin muajin e ardhshëm. COVAX ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave edhe në vende më të varfra. Tedros tha se 44 marrëveshje dypalëshe janë nënshkruar vitin e kaluar dhe së paku 12 janë nënshkruar këtë vit.
“Kjo mund t’i vonojë dërgesat e COVAX-it dhe të krijojë pikërisht skenarin që COVAX ka synuar ta shmangë: grumbullime, treg kaotik, përgjigje e pakoordinuar dhe përçarje e vazhdueshme sociale dhe ekonomike”, tha Tedros.
Qasja “unë i pari” i la në rrezik më të varfrit dhe më të cenueshmit e botës, tha ai.
“Në fund të fundit, këto veprime vetëm se do ta zgjasin pandeminë”, shtoi ai, duke iu bërë thirrje vendeve që të shmangin gabimet që janë bërë gjatë pandemive H1N1 dhe HIV.
Tedros tha se më shumë se 39 milionë doza vaksinash janë administruar në 49 vende me të ardhura më të larta, ndërsa vetëm 25 doza në një vend të varfër.