Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell ka thënë se sot ka takuar në Vushtrri familjet e viktimave të masakrës së 22 majit të vitit, 1999.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se “çdo viktimë, pa dallim nëse janë shqiptarë, serbë, romë, ashkali, boshnjakë meritojnë drejtësi”.
“Takova sot familjet e viktimave të masakrës së 22 Majit 1999 në Vushtrri. Çdo viktimë pa dallim nëse janë Shqiptarë, Serb, Roma, Ashkali, Boshnjak meritojnë drejtësi. Por më shumë se çdo gjë ata meritojnë që përjetimet e tyre te tregohen dhe të pranohen”, ka shkruar O’Connell.
Sipas tij, pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën.
“Pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën. Ne duhet të kujtojmë dhe pranojmë atë se çka ka ndodhë në Kosovë. Unë isha i prekur me atë se çka më tha sot një grua që kishte humbur vëllaun: “Ne nuk dojmë hakmarrje. Ne dëshirojmë drejtësi, që kjo mos të ndodhë më kurrë”, ka shkruar tutje, transmeton Koha.net.
Më 22 maj të vitit 1999 në këtë qytet konsiderohet të jenë vrarë 77 shqiptarë nga forcat serbe.