Oda Amerikane kërkon ndërprerjen e ndërhyrjes së shtetit në tregun e karburanteve

15:03 | 24 Maj 2024
oda-amerikane-kerkon-nderprerjen-e-nderhyrjes-se-shtetit-ne-tregun-e-karburanteve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndërhyrjen e stërzgjatur të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës në tregun e derivateve të naftës.

Oda Amerikane beson se “përcaktimi i çmimeve të produkteve të naftës shkel drejtpërdrejt parimet e një ekonomie të tregut të lirë, duke ndikuar negativisht në operacionet e kompanive që tregtojnë karburantet e naftës, duke kërcënuar rrjedhimisht edhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike”.

“Ndërhyrjet e tilla paraqesin disa rreziqe për ndërmarrjet e sektorit privat, duke përfshirë paqëndrueshmërinë financiare, çrregullimin e tregut, uljen e konkurrencës, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziqet ligjore dhe rregullative”, ka thënë OEAK në një reagim dërguar mediave.

Oda Amerikane e konsideron të gabueshëm interpretimin nga ana e Ministrisë të Ligjit nr. 08/L-018 për me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke vlerësuar se “asnjëra nga rastet e cekura në nenin 15 të Ligjit nuk vazhdon të jetë e zbatueshme”.

“Oda Amerikane u kujton zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikë së Kosovës. Gjatë vlerësimit të kushtetutshmërisë së një akti të ngjashëm juridik, konkretisht të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se dispozitat e këtij ligji nuk ishin në përputhje me aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, duke e shpallur atë të pavlefshëm në tërësinë e tij”, thotë më tej Oda Amerikane.

Bazuar në këto konkluzione, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Qeverisë së Kosovës që të revokojnë menjëherë vendimin për përcaktimin e çmimit të naftës.

“Ky veprim do të demonstronte përkushtimin për respektimin e Kushtetutës, promovimin e sundimit të ligjit dhe shmangien e tendencave ndërhyrëse në ekonominë e tregut të lirë, duke shmangur në këtë mënyrë rreziqet me të cilat përballen kompanitë e sektorit privat, si dhe duke nxitur një mjedis biznesi më të qëndrueshëm dhe konkurrues”, ka thënë OEAK-ja.

Komento: