Oda Ekonomike Amerikane alarmon për gjendjen ekonomike në vend

17:39 | 11 July 2020

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), u ka bërë thirrje partive politike që të shmangin diskursin konflikt-nxitës dhe rrënimin e prospekteve të rimëkëmbjes ekonomike.

Përmes një komunikate për media, OEAK thekson se diskursi thellësisht përçarës politik brenda institucioneve dhe jashtë tyre pengon arritjen e konsensusit nacional dhe tejkalimin e vështirësive të krijuara pas shpërthimit të pandemisë COVID19.

Oda Ekonomike Amerikane alarmon se në muajt në vijim do të shpërfaqen pasojat reale në aspektin ekonomik e social, për shkak të mbijetesës së vështirësuar të një numri të ndërmarrjeve, kryesisht të vogla dhe të mesme.

“Vonesat e mëtejme në aprovimin e ndryshimeve të kornizës buxhetore por edhe të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare do të vonojnë disbursimin e mjeteve të zotuara në ndihmë të ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit privat, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në komunikaëtn e OEAK.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuara për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.
Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë.

Komento: