Odat kërkojnë nga Qeveria heqjen e barrierave për investime

17:13 | 04 September 2022

Investitorët e huaj vazhdojnë të ngurrojnë të investojnë në Kosovë.

Komuniteti i biznesit në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës heqjen e barrierave për investitorët e huaj dhe krijimin e një klime të favorshme për investime të huaja direkte.

Madje diskursi aktual politik në vend po konsiderohet të jetë në kundërshtim me përpjekjet e asociacioneve të biznesit për tërheqje të investimeve të jashtme dhe të brendshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë për KosovaPress, se është e domosdoshme thjeshtësimi ose eliminimi i burokracive për firmat e huaja, për të mos pritur siç thotë një investitorë potencial me muaj të tërë për të investuar në Kosovë.

“Ne ndaj Qeverisë së Kosovës do të jemi shumë kërkues në kuptimin pozitiv për ndryshimin e ligjeve, si dhe për eliminimin e barrierave të cilat i paraqiten bizneseve të huaja. Ne duhet me parë mundësinë për eliminimin e burokracisë brenda vendit, që një biznes i cili vjen me investuar të mos pritë me muaj të tërë për realizimin e një kërkese të tillë.

Këtu, së bashku me qeverinë do të shohim se si mund ta thjeshtësojmë këtë procedurë dhe çka mundet oda me ndihmuar për këtë. Duhet me thyer një far mentaliteti te zyrtarët e institucioneve të ndryshme që janë në shtet, që ata me kuptua se investitori është prioritet”, theksoi Rafuna.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se përveç sigurisë juridike edhe siguria fizike është me rëndësi për tërheqje të investimeve të huaja.

Zeka ka thënë se deklaratat e fundit për eskalim të situatës dhe për ndonjë tension të mundshëm në pjesën veriore, ndikojnë negativisht në tërheqjen e investitorëve për vendin.

“Deklaratat për eskalim të situatës dhe për ndonjë tension të mundshëm apo konflikt të mundshëm në pjesën veriore, natyrisht që janë në kundërshtim me përpjekjet edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe të ne si asociacione të biznesit për tërheqje të investimeve të jashtme edhe për nxitje të investimeve brendshme.

Përveç sigurisë juridike edhe siguria fizike është me rëndësi për operacione normale të biznesit dhe për tërheqje të investimeve të huaja. Kështu që dëshiroj të besoj që sa më shpejt do të gjendet një zgjidhje e cila pastaj edhe e ndryshon diskursin aktual polik, e cila natyrisht se do të ndikonte në rritje të investimeve të jashtme të cilat janë të rëndësishme për vendin”, thotë Zeka.

Ndryshe, sipas një raporti të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), në pesë mujorin parë të këtij viti janë shënuar rreth 240 milionë euro investime direkte në Kosovë, ndërsa në vitin 2021 shifrat totale ishin 421 milionë euro. Derisa në periudhën 5 mujore të vitit 2021 kanë qenë rreth 200 milionë euro.

Përkundër trendit pozitiv të investimeve të huaja direkte në vitin e fundit, Kosova mbetet një vend jo tërheqës për investime të huaja, sidomos nga korporatat dhe markat e mëdha botërore.

Komento: