
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ndaj njoftimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke akuzuar ZRRE-në për interpretime selektive dhe të gabuara të këtij vendimi.
Në reagimin e publikuar më 18 dhjetor, OEK, e kryesuar nga Lulzim Rafuna, vlerëson se Gjykata Supreme ka qenë e qartë në konstatimin se kriteret e nxjerra mbi bazën e nenit 37, paragrafi 3 të Ligjit për Energjinë Elektrike janë të paligjshme, pasi janë vendosur përtej kompetencave ligjore dhe kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për bizneset. Sipas OEK-së, interpretimi i këtij neni nga ZRRE bie gjithashtu në kundërshtim me Direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian për tregun e brendshëm të energjisë elektrike.
“Vendimet e Gjykatës Supreme nuk janë çështje interpretimi institucional. Ato janë akte detyruese që duhet të zbatohen në tërësi dhe në frymën e tyre”, thuhet në reagim, duke paralajmëruar se leximet selektive krijojnë pasiguri juridike dhe dëmtojnë klimën e biznesit.
OEK thekson se përpjekjet për ta paraqitur aktgjykimin si vendim “konstatues” janë të gabuara dhe cenojnë rolin e gjyqësorit. Oda shpreh gatishmëri për dialog institucional, ndërsa thekson se do të vazhdojë të kërkojë zbatim të plotë dhe jo selektiv të vendimit të Gjykatës Supreme, në interes të sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.