Ofertë e papritur nga Interi për yllin e Manchester Unitedit

14:47 | 23 Maj 2019

Duket se Interi do ta transferojë yllin e Manchester Unitedit.

Mediat italiane raportojnë se Interi dëshiron aq shumë ta transferojë sulmuesin e Manchester Unitedit, Romelu Lukakun, saqë është i gatshëm t’ia paguajë 30 milionë euro dhe t’ia ofrojë edhe Ivan Perisicin në vend të belgut.

Kur Manchester Unitedi e transferoi Romelu Lukakun në vitin 2017, drejtuesit e klubit kishin qenë të sigurt se belgu do të ishte sulmuesit kryesor i skuadrës së tyre për shumë vite në vijim.

Megjithatë, gjatë këtyre dy vjetëve me “Djajtë e kuq”, Lukaku ka marrë më shumë kritika sesa lëvdata për paraqitjet e tij. Pesha e tij është kritikuar disa herë, ndërsa talljet për prekjet e tij të para i vërshonin rrjetet sociale.

Edhe pse kaloi nëpër disa periudha të mira, Lukaku arriti të kontribuojë në skuadrën e Manchester Unitedit vetëm me 15 gola në gjithsej 45 ndeshje të zhvilluara.

Pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer dëshiron t’i largojë të gjithë futbollistët që nuk i arrijnë standardet e tij, belgu mund të detyrohet ta gjejë një klub të ri. Ai shpeshherë e ka bërë të ditur dëshirën e tij për të luajtur në Serie A një ditë.

Antonio Conte besohet se është shumë afër zyrtarizimit si trajner i Interit nga sezoni i ardhshëm dhe mediat italiane kanë raportuar se ai e do Lukakun në skuadër. Për këtë arsye, Interi ia ka ofruar Manchester Unitedit 30 milionë euro dhe Perisicin për Lukakun.

Ende nuk dihet nëse “Djajtë e kuq” janë të gatshëm ta pranojnë një ofertë të tillë, por një gjë e tillë është e mundur pasi që anglezët kishin shprehur interesim për kroatin gjatë dy verave të fundit.

Komento: