OKB-ja nesër mban mbledhje, temë e diskutimit edhe Kosova

18:09 | 09 June 2019

Kosova nesër do të jetë pjesë e diskutimit në OKB.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nesër në Nju Jork do të diskutojë raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut për periudhën nga 16 janari deri më 15 maj të këtij viti.

Në këtë takim ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka paralajmëruar se do të kërkojë shqyrtimin në vazhdimësi të çështjes së Kosovës në KS të OKB-së dhe nevojën e UNMIK-ut që të mbetet i angazhuar në zbatimin konsekuent të objektivave të përcaktuara, pa ndryshuar mandatin.

Aksioni i policisë së Kosovës kundër krimit dhe korrupsionit në veri, përfshirë arrestimin e një pjesëtari të UNMIK-ut, që kishte dalë në rrugë me makinën e tij për të penguar policinë e Kosovës të kryejë aksionin e saj, do të jetë në fokusin e seancës.

Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe kanë kërkuar disa herë që seancat e KS të OKB-së të reduktohen, duke marrë parasysh realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që është kërkuar edhe reduktimi i stafit dhe buxhetit për misionin e UNMIK-ut.

Komento: