Varhelyi: Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive për Asociacionin.
Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, beson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i prezantuar nga ekipi menaxhues, është pikënisje për diskutimin për formimin e këtij organi.
“Është thelbësore që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe siç theksoi përfaqësuesi special i BE-së për dialog (Miroslav Lajçak), drafti i ekipit menaxhues është pikënisja për diskutimet e mëtejshme rreth Asociacionit”, tha Varhelyi në debatin e mbajtur për Kosovën. në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
Bëhet fjalë për draft-statutin e Asociacionit që iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në takimin e liderëve të mbajtur në Bruksel më 2 maj, ku ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Ky draft është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke deklaruar se nuk do të lejojë formimin e një “Republika Srpska të re në Kosovë”, shkruan Radio Evropa e Lirë
Më 3 maj, Qeveria e Kosovës shkarkoi Ekipin Menaxhues, me arsyetimin se një ditë më parë në Bruksel e kishin paraqitur statutin dhe se në këtë mënyrë u kishte përfunduar mandati.
Ky ekip përbëhej nga katër anëtarë nga komuniteti serb: Danijela Vujičić, Jelena Bolović, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković. Anëtarët u propozuan nga Serbia dhe u emëruan zyrtarisht nga qeveria e Kosovës.