Operacion i EUROPOL dhe SPAK: Nëntë të arrestuar, konfiskohen kriptovaluta në vlerë prej 25 milionë eurove

18:08 | 18 December 2024
operacion-i-europol-dhe-spak:-nente-te-arrestuar,-konfiskohen-kriptovaluta-ne-vlere-prej-25-milione-eurove

Nëntë persona janë arrestuar në një megaoperacion të zhvilluar në Spanjë nga EUROPOL, ku i përfshirë është edhe SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve në Shqipëri.

Mediat shqiptare raportojnë se ky operacion ka të kundër pastrimit të parave të drogës në kriptomonedha.

Në këtë aksion u konfiskuan 25 milionë euro kriptomonedha, 35 mijë euro kesh, ar, bizhuteri, dokumente dhe celularë.

Ky operacion, është pasues i dy të mëparshmëve Gorgon dhe WhiteWall.

Në megaoperacionin e EUROPOL-it, mori pjesë edhe Prokuroria e Posaçme SPAK, për shkak se në Gusht të këtij viti nga operacioni i koduar GORGON u godit grupi i Çapjave në Elbasan.

Në njoftimin zyrtar të policisë evropiane, thuhet se grupi kishte bazë edhe në Shqipëri, pasi një shtetas shqiptar, pjesë e grupit të Çopjajve ka ndihmuar anëtarët e këtij grupi kriminal që të pastronin paratë përmes kriptomonedhave.

Hetimet lidhur me këtë grup kanë nisur që në vitin 2021, ku në një banesë u sekuestruan një sasi e madhe parash pas një operacioni për trafikim të kokainës.

Disa nga kartëmonedhat pesë euro kishin mbishkrime me dorë, që sipas Europol, pas zbërthimit të këtyre mbishkrimeve janë arritur të sigurohen informacione mbi personat që koordinonin dhe financonin veprimtarinë kriminale.

Nëpërmjet një kontrolli të këtyre të dhënave në EncroChat dhe Sky ECC u zbulua një koordinator që ofronte shërbime bankare për një rrjet kriminal me bazë në Spanjë, i cili nga ana tjetër ishte nën mbikëqyrjen e një rrjeti që operonte nga Dubai.

I dyshuari, shtetas britanik, u arrestua më 12 shtator 2022.

Një nga gjetjet kryesore të hetimit ishte se një anëtar i një rrjeti kriminal me bazë në Shqipëri, i shënjestruar gjatë operacionit GORGON në muajin Korrik, lehtësonte transferimin e shumave të mëdha parash përmes kriptomonedhave.

Komento: