Operacion kompleks në Mitrovicë: Largohet me sukses tumori me përmasa të mëdha te 69-vjeçari

10:40 | 07 Maj 2026
operacion-kompleks-ne-mitrovice:-largohet-me-sukses-tumori-me-permasa-te-medha-te-69-vjecari

Një intervenim kompleks kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Spitali njofton se operacioni është kryer te pacienti R.D. (i lindur më 1957, nga Mitrovica), i cili vuante nga një masë tumorale me përmasa të konsiderueshme.

Ndërhyrja u realizua nga mjekët e Repartit të Kirurgjisë, në bashkëpunim me ekipin e Anesteziologjisë.

“Pacienti u diagnostikua me Liposarcoma permagna regio thoraco-abdominalis (pars lumbalis) l.sin (Tumor malinj i indit dhjamor me përmasa shumë të mëdha në regjionin e gjoksit dhe barkut, konkretisht në pjesën e mesit, në anën e majtë).

Tumori kishte një shtrirje mjaft invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë (axilla), deri te pjesa e sipërme e kockës së legenit në anën e majtë (crista iliaca anterior superior).

Ky operacion sfidues u krye me profesionalizëm nga ekipi i mjekëve: Specialistët e kirurgjisë: Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Muhamet Musa dhe Dr. Albert Miftari. Anesteziologët: Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Arbër Bardhaj.Instrumentaret: Medina Pllana dhe Fidane Brahimi Sejdiu, si dhe tekniku i anesteziologjisë Petrit Boja”, thonë nga ky spital, transmeton Klankosova.tv.

Gjithashtu në njoftim theksohet se tumoret e këtyre përmasave kërkojnë saktësi të lartë kirurgjike për shkak të afërsisë me organet vitale dhe strukturat vaskulare (enët e gjakut).

“Pas përfundimit me sukses të procedurës, monitorimit dhe kujdesit për disa ditë, pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”.

Komento: