Opozita akuzon presidentin për pazare me territor – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Opozita akuzon presidentin për pazare me territor

19:24 | 22 Korrik 2019

Në 9 vjetorin e vendimit të GJND-së, opozita akuzon presidentin për pazare me territor.

Më 22 korrik, nëntë vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësie vulosi shtetësinë e Kosovës.

Kjo u quajt si goditja më e fuqishme që e mori Serbia.

Nëntë vjet pas, presidenti, Hashim Thaçi e ka quajtur si fitoren më të madhe ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është vendim historik, i cili ka konfirmuar themelet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

Për opozitën, pushteti nuk ka arritur që ta shfrytëzojë fuqinë juridike që e pati ky mendim këshillëdhënës i GJND-së.

Dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje thonë se Kosova mori goditjen më të madhe nga vetë udhëheqësit e saj.

Akuzat më të mëdha drejtohen për presidentin, Hashim Thaçi, për të cilin këto dy parti thonë se e rrezikoi integritetin territorial me idenë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se presidenti, në kundërshtim me vullnetin e popullit, e ka vënë shtetësinë e Kosovës në tavolinë duke bërë dëm të pariparueshëm në konsolidimin e shtetësisë.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se për këto nëntë vjet ky vendim i GJND-së nuk ka arritur asnjëherë të fuqizohet në ruajtje të shtetësisë, të sovranitetit, por në vazhdimësi është degraduar nga krerët më të lartë shtetërorë.

Të dyja këto parti thonë se pushteti dështoi që të sjellë njohje të reja e dështoi t’u sigurojë lëvizje të lirë qytetarëve, por si mundësi për mbrojtje të shtetësisë e sovranitetit i shohin zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Komento: