Publikimi i mesazheve në mes të ish kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës Nagip Krasniqit si dhe koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit ka shqetësuar tej mase deputetet e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, deri sa në anën tjetër deputetet e pozitës një situatë të tillë e shohin si krejtësisht normale, raporton Front Online.
Në përgjimet e publikuara në media shihet se Mihali e informon ish kryeshefin Krasniqi për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike, e që sipas mesazheve një gjë të tillë koordinatores ia kishte konfirmuar edhe vetë ish kryeshefi duke i thënë “pak a shumë është i vërtetë”.
Bytyqi: Kjo qeveri ka ardhur me kontrolluar çdo institucion
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, për Front Online ka komentuar publikimet lidhur me komunikimet mes koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ajo theksoi se këto publikime konfirmojnë shqetësimet e përditshme për qeverinë, e cila, sipas saj, ka ardhur në pushtet me qëllime të qarta për të kontrolluar çdo institucion dhe për të vendosur njerëzit e saj në pozita kyçe.
“Këto publikime veçse e konfirmojnë atë që çdo ditë e themi që kjo Qeveri ka ardhur me ide të qarta në pushtet, me kontrolluar çdo Institucion dhe pas ndikim kudo që munden, duke i vendosur njerëzit e tyre në po ato vende dhe në këtë mënyrë më i zbatuar politikat e tyre të dëmshme për vendin’’ tha Bytyqi për Front Online.
Ajo më tutje nënvizoi se bisedat e publikuara e vërtetojnë gjithashtu lidhjen e Martin Berishajt me skandalin energjetik. Ajo tha se tani qytetarët po fillojnë të kuptojnë se çfarë është në gjendje të bëjë ky pushtet dhe se sa larg mund të shkojnë në zbatimin e politikave të tyre të dëmshme për vendin.
“Po ashtu, u vërtetua për Martin Berishajn ajo çka është raportuar ku vetë Krasniqi e konfirmon në bisedat e publikuara, pra më në fund gjërat po fillojnë të bëhen më të qarta për qytetarët ku po kuptohet realisht se çka janë në gjendje me bë ky pushtet dhe sa larg mund të shkojnë’’, përfundoi Bytyqi.
Gaxherri e LDK-së: Skandalet, aferat korruptive, mafia e energjetikës menaxhohen nga sekseria Mihali
Besa Gaxheri, deputete nga LDK, ka reaguar lidhur me bisedën e publikuar mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit. Ajo ka theksuar se Mihali, është emëruar nga Kryeministri Kurti për të menaxhuar skandalet dhe korrupsionin në institucione. Gaxheri e akuzon Mihalin se ajo funksionon si një sekser për zhvatjen e fondeve dhe se skandalet energjetike, përfshirë përfshirjen e kompanisë GEN, tregojnë një strukturë të organizuar korrupsioni brenda qeverisë.
“Në radhë të parë duke pasur parasysh që Mihali është vetëm zyrtare e partisë dhe asnjë funksion qeverisës na jap me kuptuar se kryeministri Kurti e ka përzgjedhë këtë zonjë si sekser për zhvatjen, korrupsionin dhe kontrollin e të gjitha Institucioneve edhe të vetë lëvizjes.
Komunikimi i cili është publikuar këto ditë, na dokumenton se skandalet, aferat korruptive duke përfshirë edhe mafinë e energjetikës menaxhohen nga sekseri i Kurti, pra Dejona Mihali’’ tha Gaxherri për Front Online
Deputeti i PDK-së: Biseda mes Dejonës me Nagipin është një shuplakë për qytetarët
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, reagoi ndaj bisedës mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, duke e cilësuar atë si një shuplakë për qytetarët. Ai shprehu shqetësim për mënyrën se si çështje të rëndësishme diskutohen prapa dyerve të mbyllura, duke pyetur: “Çfarë po fshihet nga publiku?”
‘’Po luhet me të ardhmen e këtij vendi! Biseda mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit është një shuplakë për qytetarët dhe një tjetër shembull se si çështje të rëndësishme diskutohet prapa dyerve të mbyllura. Çfarë po fshihet nga publiku?’’, tha Haliti për Front Online.
Haliti theksoi se qytetarët meritojnë më shumë transparencë dhe se nuk mundet një individ apo grup i vogël të vendosë për ndalimin e energjisë, kur ata vetë përballen me pasojat.
“Qytetarët meritojnë më shumë transparencë, jo marrëveshje të fshehta që ndikojnë të ardhmen e vendit! Nuk mundet një individ apo një grup i vogël të ketë fuqinë të vendosë kur ndalet rryma, kur ne jemi ata që përballojmë koston dhe pasojat’’, tha Haliti.
Ai kërkoi llogaridhënie për çdo marrëveshje që prek jetët e qytetarëve, duke e cilësuar zemërimin e qytetarëve si të ligjshëm në kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria.
‘’Kjo është një formë kontrolli që shkel të drejtat tona themelore! Zemërimi ynë është i ligjshëm, sepse kemi të drejtë të kërkojmë llogaridhënie për çdo marrëveshje që prek jetët e qytetarëve’’, përfundoi Haliti.
Deputetja e VV-së për publikimet mbi Dejona Mihalin dhe Nagip Krasniqin: Unë nuk e di pse po e bëjnë kaq të madhe
Deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Tishukaj, ka reaguar për situatën që po krijohet rreth koordinatores së komiteteve, Dejona Mihali. Ajo shprehu shqetësimin për zhurmën e madhe që po bëhet, duke theksuar se Mihali koordinon punët me të gjitha komitetet brenda subjektit politik.
“Po unë nuk e di pse po e bëjnë kaq të madhe kur ne Dejonën e kemi koordinatore të komiteteve edhe faktikisht ajo i koordinon punët me të gjitha komitetet Brenda subjektit politik’’, tha Tishukaj për Front Online.
Tishukaj theksoi rëndësinë e harmonizimit dhe vuri në dukje se ky pozicion është krijuar edhe për zgjedhjet e fundit brenda partisë.
Ajo nënvizoi se është normale që të gjitha subjektet politike të kenë koordinatorët e tyre në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia dhe puna e jashtme, duke e vlerësuar punën e Mihalit dhe shprehur moskuptimin për zhurmën që po krijohet rreth saj.
“Ai pozicion iu ka besuar Dejonës edhe në zgjedhjet e fundit që I kemi pasur Brenda partisë dhe nuk e di pse po e bëjnë kaq të madhe kur ne duhet të harmonizohemi , unë vet harmonizohem me të në çështje të caktuara sepse pozita është e tillë që duhet koordinuar ,unë besoj se të gjitha subjektet politike I kanë koordinatorët e komiteteve të arsimit, shëndetësisë apo punëve të jashtme’’, përfundoi Tishukaj. / Front Online /