Opozita dhe ekspertet kërkojnë tërheqjen e doracakut për edukimin seks*ual

08:08 | 15 November 2024
opozita-dhe-ekspertet-kerkojne-terheqjen-e-doracakut-per-edukimin-seks*ual

Doracaku i publikuar për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues i vitit 2023 ka shkaktuar reagime të shumta, duke tërhequr kritika nga opozita dhe ekspertë të arsimit.

Pavarësisht raporteve se dokumenti ka shkaktuar shqetësime, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka sqaruar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për këtë temë, as tekste shkollore që e trajtojnë atë.

MAShT-i ka theksuar se edukimi seksual është trajtuar si një çështje ndërkurrikulare dhe përfshihet në lëndë të ndryshme, duke u fokusuar në aspektet shkencore, shëndetësore dhe shoqëroro-kulturore, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.

Ndërkohë, opozita dhe njohësit e arsimit kanë kritikuar këtë doracak, duke e cilësuar atë të papërshtatshëm për moshat e reja dhe të paqartë në qasjen e tij. Ata kanë bërë thirrje që doracaku të tërhiqet.

Thaçi: Doracaku për Edukim Seksual po përdoret njëjte si rasti i kodit civil për të keq informuar qytetarët

Halil Thaçi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim për Front Online e ka quajtur doracakun famëkeq  “veç një doracak” duke e vënë në pikëpyetje se po përdoret nga ndonjë mësimdhënës.

‘’Ai është veç një doracak dhe bash kam hulumtuar se a është shfrytëzuar ky doracak nga ndonjë shkollë apo mësimdhënës, jam kurioz ta di nëse është shfrytëzuar’’, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë se po përsëritet historia me kodin civil, pra se doracaku sipas tij po përdoret për të keq informuar qytetarët në kohën e zgjedhjeve.

‘’Ky doracak po përdoret njëjtë si rasti i kodit civil për të keq informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, është koha e zgjedhjeve e fushatës në rregull është se për këtë qëllim po e bëjnë’’, përfundoi Thaçi.

Dumoshi e LDK-së: Doracaku, i pa pranueshëm e skandaloz

Vlora Dumoshi, deputete nga radhët e LDK-së  ka kërkuar që doracaku për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues i vitit 2023 të hiqet menjëherë nga përdorimi dhe të rishikohet nga ekspertë të fushave të ndryshme.

Ajo theksoi se Ministria e Arsimit ka kapacitetet e nevojshme ekspertësh, por që për një proces të tillë duhet të përfshihen edhe Këshilli i Prindërve dhe mësimdhënësit.

‘’ Unë mendoj se ky doracak duhet të hiqet menjëherë nga përdorimi dhe duhet rishikuar nga ekspertë nga fushat  ndryshme, ministria e arsimit i ka edhe kapacitetet e ekspertëve përbrenda por gjithsesi duhet të jetë edhe pjesëmarrës edhe Këshilli i Prindërve dhe arsimtarëve që është në kuadër të ministrisë’’, tha Dumoshi për Front Online.

Dumoshi e ka cilësuar doracakun si të papranueshëm dhe skandaloz, duke theksuar se përmbajtja dhe aktivitetet që ai përmban nuk janë të përshtatshme për fëmijët, veçanërisht për ata nga klasa e parë deri në të pestën.

‘’Ky doracak ashtu siç është me këtë përmbajtje të aktiviteteve është i pa pranueshëm dhe është skandaloz sepse nuk lidhet me moshën e fëmijëve e sidomos nga klasa e parë deri te e pesta ‘’, përfundoi Dumoshi.

Deputetja e AAK-së: Ky doracak për Edukim Seksual, assesi nuk bën të jetë pjesë e shkollave tona

Albana Bytyqi, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj doracakut për edukimin seksual të vitit 2023, duke e cilësuar si një skandal. Ajo e quajti këtë doracak një dëshmi të dështimit të Qeverisë.

Kjo qeveri ka shkalluar në çdo aspekt të mundshëm, e skandali i fundit me doracakun mbi edukimin seksual, duhet të jetë edhe fundi i tyre në qeverisje’’, tha Bytyqi për Front Online.

Sipas saj, doracaku përmban antivlera dhe është plotësisht i papërshtatshëm për fëmijët dhe rininë e Kosovës.

Ajo tha se, megjithëse është pro për edukimin e shëndetshëm të rinisë, ky doracak është një eksperimentim i rrezikshëm me tema delikate, pa u siguruar që përmbajtja e tij është e përshtatshme për moshën dhe fazën e zhvillimit të nxënësve.

‘’Në atë doracak është promovuar antivlera dhe gjëra që as mendja nuk ka mundur të na shkojë ndonjëherë por përkundrazi të bëjnë materiale që nuk janë aspak edukative e aspak të përshtatshme. Jemi për edukimin e shëndetshëm të rinisë sonë, por jo për eksperimentimin me tematika kaq delikate pa u siguruar që përmbajtja është e përshtatshme, kulturore dhe pedagogjike për moshën dhe fazën e zhvillimit të nxënësve’’, tha deputetja e AAK-së.

Ajo theksoi se edukimi seksual duhet të informojë dhe ndërgjegjësojë, por jo të shkojë në kundërshtim me vlerat dhe kulturën e Kosovës. Përfundimisht, ajo e bëri të qartë se ky doracak nuk mund të jetë pjesë e shkollave të Kosovës.

‘’Edukimi seksual duhet të synojë informim dhe ndërgjegjësim, por kurrsesi të mos jetë në kundërshtim me vlerat tona dhe kulturën tonë. Andaj jo ky doracak assesi nuk bën të jetë pjesë e shkollave tona’’, përfundoi Bytyqi.

Kreu i SBASHK-ut: Doracakët që i bëri MASHT-i  duhet të tërhiqen

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka kritikuar doracakët për edukimin seksual të publikuar nga MAShT, duke i cilësuar ato si të dëmshme dhe të papërshtatshme për shkollat.

Ai theksoi se sindikata e mësuesve është plotësisht kundër këtyre doracakëve dhe ka thënë se nuk ka asnjë informacion që mësuesit e Kosovës t’i kenë përdorur ato në mësimdhënie.

‘’ Ne jemi shumë kundër këtij doracaku , fatmirësisht  ne nuk kemi asnjë informatë që ndonjëri nga kiolegët tonë në Kosovë është bazuar qoftë edhe në një shkronjë e fjali të atij doracaku e lëre më me përmbajtjen e këtyre doracakëve’’, tha Jasharaj për Front Online.

Jasharaj theksoi se MAShT-i ka bërë një gabim të madh me përgatitjen e këtyre doracakëve, të cilët, sipas tij, nuk shërbejnë për edukim, por për degjenerimin e gjeneratave të reja.

‘’ Doracakët janë të dëmshëm dhe nuk shërbejnë far për edukim por në t kundërtën shërbejnë për degjenerim të gjeneratave të reja ‘’, tha kreu I SBASHK-ut.

Ai shtoi se, edhe pse edukata seksuale është e rëndësishme, ajo duhet të përdoret në mënyrë të matur dhe të përshtatshme, duke ruajtur personalitetin e fëmijëve dhe mësuesve.

Ai e quajti përmbajtjen e doracakut, deri te klasa e dytë, të tmerrshme dhe jashtë çdo norme njerëzore dhe morale.

‘’Edhe edukata seksuale qoftë edhe ajo mediale duhet të përdoret por në masë të caktuar duke ruajtur personalitetin e fëmijës dhe të mësuesit

E lexova këtë doracak deri te klasa e dytë e u ndala sepse ishte e tmerrshme gjërat që parashihen të bëhen e të debatohen me klasën e dytë janë jashtë çdo norme njerëzore e morale’’, tha Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut për fund tha se doracakët duhen larguar dhe se vendin e kanë në bërllog

Pra këta doracakë që I bëri MASHT-I duhet të tërhiqen dhe vendin e kanë në bërllog’’, përfundoi Jasharaj

Osmani: Urgjentisht duhet të ndërprehet përdorimi I këtij doracaku  edhe të hiqet lënda e edukimit seksual në shkolla.

Argjend Osmani, njohës i çështjeve të arsimit, ka kritikuar ashpër doracakët për edukimin seksual të publikuar nga Ministria e Arsimit, duke i cilësuar si të papërshtatshëm dhe të dëmshëm për fëmijët

Unë mendoj që ky doracak është absolutisht i pa përshtatshëm dhe nuk përkon as me qëllimet edukative e as me aspektin pedagogjik të edukimit të fëmijëve”, tha Osmani për Front Online.

Sipas tij, këta doracakë kanë si agjendë shkatërrimin e rinisë ndaj edhe mendon që janë të dëmshëm.

Faktikisht kjo është një agjendë përmes së cilës tentohet edhe të punohet në degjenerimin e rinisë tonë andaj mendoj që është shumë e dëmshme për gjeneratat e reja’’, tha Osmani.

Komuna e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Skenderaj dhe Drenasi kanë bërë të ditur të enjten se e kanë ndaluar përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues”, shkruan Front Online.

 

 

 

Komento: