Opozita do ta dërgojë Thaçin në Kushtetuese

09:31 | 20 Dhjetor 2018

Presidenti Hashim Thaçi do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për rastin e KQZ-së, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Këto dy parti thonë se atyre u takojnë nga dy përfaqësues në KQZ dhe jo nga një, siç ka vendosur Thaçi
Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë se atyre u takojnë nga dy përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe jo nga një përfaqësues, siç ka vendosur presidenti Hashim Thaçi.

Prandaj, këto dy parti e paralajmërojnë Thaçin se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Ndërkohë, njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se opozita do të mundë t’i drejtohet Kushtetueses vetëm pasi presidenti Thaçi ta ketë nënshkruar dekretin për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Ata thonë se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, bazë e konstituimit të Kuvendit dhe në të njëjtën analogji edhe e delegimit të anëtarëve të KQZ-së është rezultati zgjedhor i partive ose koalicioneve parazgjedhore.

Komento: