Opozita e ka sëriozisht, Hoti e Konjufca harmonizojnë tekstin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë

15:57 | 31 May 2019

Partitë opozitare jaën duket bërë përpjekjet e fundit për ngritjen e mocionit kundër qeverisë ‘Haradinaj’.

Pas takimit të krerëve të partisë, një takim tjetër për t’u dakorduar rreth rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, e kanë organizuar edhe shefat e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, Glauk Konjufca e Avdullah Hoti.

Në këtë takim ata janë dakorduar për tekstin e mocionit, përmes të cilit do të synojnë rrëzimin e koalicionit PDK-AAK-Nisma nga pushteti.

Përveç Konjufcës, Hoti ka takuar edhe deputetin Ilir Deda, ndërkohë u ka bërë thirrje të gjithë grupeve tjera parlamentare që të përkrahin këtë nismë të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, sot kanë harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Hoti sot është takuar edhe me përfaqësuesin e Grupit Parlamentar të PSD-së dhe deputetin Ilir Deda, si dhe ka komunikuar me deputeten Mimoza Kusari Lila, për të diskutuar për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së PAN-it”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra për media e LDK-së.

Hoti u ka bërë thirrje të gjithë partive që t’i bashkohen nismës për rrëzimin e Qeverisë.

“Në cilësinë e kryetarit të Grupit më të madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Hoti fton të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët e pavarur të mbështesin mocionin”, përfundon njoftimi.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dje gjatë ditës është takuar edhe me kreun e PSD-së, Shpend Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar rreth mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Komento: