Opozita edhe me një votë për rrëzimin e Qeverisë, i shtohet deputeti Milaim Zeka

19:49 | 06 June 2019

Milaim Zeka i shtohet opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Partitë opozitare në Kosovë kanë një votë më shumë nga shumica për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Kjo pasi që deputeti Milaim Zeka shprehet i vendosur se vota e tij do të jetë në shfrytëzim të opozitës për dërgim në zgjedhje të reja Kosovën.

Në lidhje me këtë deputeti Zeka konfirmon takimet dhe kontaktet me partitë opozitare dhe këtë vendim thotë se e ka marr për shkak të vjedhjes drastike që po i ndodhë parasë publike.

Deputeti Zeka ka treguar për KosovaPress edhe për partinë e re që do të formojë të cilën tha se do ta promovojnë me datën 29 qershor.

Ai shprehet i sigurt se do të ketë mbështetje nga qytetarët, ku thotë se ka mbi 1 vit e gjysmë që ka filluar për të organizuar strukturën e partisë nga gjithë vendi dhe diaspora.

Ndërsa, theksoi se nuk pret që në parti të vijnë njerëz që kanë dëshmuar se partitë politike i shfrytëzojnë vetëm për interesa personale.

Deputeti Zeka po ashtu nuk mohoi mundësinë që partisë së tij t’i bashkëngjiten kolegë deputetë nga legjislatura e tanishme.

Së fundi tri liderët e partive opozitare, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti kanë filluar takimet për të përpiluar mocionin e mosbesimit karshi Qeverisë Haradinaj. Me votën e Zekës opozita i ka 59 vota ndërsa për ta rrëzuar Qeverinë i duhen 61.

Komento: