Opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit: Të shkojmë në zgjedhje qysh nesër

16:55 | 18 Qershor 2024
opozita-kerkon-doreheqjen-e-kurtit:-te-shkojme-ne-zgjedhje-qysh-neser

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje ku tha se në vitin 2025 do t’i fitojnë dy palë zgjedhje, ato parlamentare si dhe ato lokale. Gjatë fjalimit Kurti përmendi opozitën, duek pretenduar se “s’mund t’i shtyjnë zgjedhjet pafundësisht”, shkruan FrontOnline

“Në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveç se do ta kremtojnë 20 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje, por patjetër patjetër më 2025 do t’i kemi edhe zgjedhjet parlamentare sepse opozita nuk do të mund t’i shtyjë pafundësisht”.

Këto deklarata, opozita po i sheh si të pavërteta dhe të pasinqerta, pasi vetë opozita ka propozuar zgjedhje të reja, por sipas tyre, Kurti nuk po dëshiron që ato të mbahen pasi nuk do të mund të vijë më në pushtet.

Beqa: Kurti s’është i interesuar për zgjedhje sepse e dinë që më nuk do të jetë në pushtet

Hajdar Beqa nga LDK-ja thotë për “Front Online” se Kurti qëllimshëm e ka humbur momentumin për të shkuar në zgjedhje pasi, sipas tij, e dinë që nuk mundet më me ardhë në pushtet.

“Kurti nuk është i interesuar për të dhënë dorëheqje sepse e dinë që nuk mundet me ardhë më në pushtet dhe e dinë që ka humbur elektoratin e vet duke propaganduar me deklarata populiste”, tha ai.

Beqa thotë se ishte propozim i PDK-së për të shkuar në zgjedhje në qërshor, por Kosova e humbi mundësinë që qytetarët e saj të kenë kryeministër të ri në shtator.

“Zotri Kurti nuk ka qenë dhe nuk është i sinqertë ne deklaratat e tij. Ne e kemi pasur momentumin për të shkuar në zgjedhje ashtu edhe siç ka qenë edhe propozimi i PDK-së, përkatësisht liderit të saj, Memli Krasniqi që të shkojmë në zgjedhje me 30 qershor eventualisht me 7 korrik por Kosova ka humbur shancin që qytetarët e saj të kenë kryeministrin e ri në shtator”, tha ai.

Beqa deklaratat e Kurtit se zgjedhjet do të mbahen vitin tjetër pasi “opozita nuk do të mund t’i shtyjë pafundësisht” tha se janë deklarata të pavërteta dhe se ai po vazhdon të propagandoj me deklarata populiste.

“Kurse Kurti ka pasur ka deklarata të pavërteta sepse me pas dashtë me shku në zgjedhje ka qenë momenti dhe sot mundemi me shku sepse mundet ai të ofroj dorëheqje meqë edhe ashtu ka dështuar”, tha Beqa për Front Online.

Hyseni i LDK-së: E kuptoj Kurtin që don me ia shkurtu mandatin vetës, s’do me i bë më tepër dëme Kosovës

Ekrem Hyseni, anëtar i kryesisë së LDK-së thotë se deklaratat e Kurtit lidhur me zgjedhje që nuk mund t’i shtyejë opozita pafundësisht, janë qesharake pasi ai ka shumicën në parlament dhe vendimarrje të plotë.

“Nëse një parti e ka 51% të votave i bie që vendimmarrjen e ka qind për qind pra ka mundësi të vendimmarrjes, por pasi nuk mundet të bëjë punë dhe projekte të mira atëherë kërkon me iu ndërpre mandati”, tha ai.

Hyseni thotë për “Front Online” se Kurti do duhej të ofrojë dorëheqje për shkak të mospunës që ka bërë, punës së keqe që ka sjellë dëme të mëdha për vendin.

“Në rastin konkret, Kurti kërkon me e ndërpre mandatin por jo me vet-ndërpre ashtu siç do duhej për çështje morale për shkak të mospunës apo punës së keqe që kanë sjellë shumë dëme”, thotë ai.

Hyseni thotë se Kurti mundet nesër me shku në zgjedhje me një dorëheqje të tij.

“Është tepër paradoks që një kryeministër që e ka 51% të parlamentit të thotë nuk mundet me i shty më zgjedhjet opozita. Unë e kuptoj kryeministrin që don me ia shkurtu mandatin vetës për shkak mos me bë akoma më tepër dëme por kjo është shumë e thjeshtë, Kurti mundet nesër me shku në zgjedhje me një dorëheqje të tij”, tha ai.

Nitaj: Kurti në mëngjes le të jep dorëheqje, të nesërmen shpallen zgjedhjet

Muharrem Nitaj, sekretar i përgjithshëm i AAK-së thotë se deklaratat e Kurtit se zgjedhjet do të mbahen më 2025 dhe se opozita nuk mund t’i shtyej zgjedhjet pafundësisht, janë të pavërteta.

Nitaj thotë për “Front Online” se Kurti e ka shuë të thjeshtë, vetëm le të ofroj dorëhqjen dhe të nesërmen shpallen zgjedhjet.

“Le të shpallen zgjedhjet qysh sot. Kryeministri Kurti e ka shumë të thjeshtë, në mëngjes le të jep dorëheqje, të nesërmen shpallen zgjedhjet”, tha ai.

Nitaj konsideron se Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës janë të gatshëm për zgjedhje, edhe nëse  mbahen nesër.

“AAK është e gatshme për zgjedhje”, tha Nitaj.

Ndryshe, partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës  kishte propozuar dy data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ishin datat 30 qershor dhe 7 korrik që ishin propozuar nga PDK, por për shkak të mos shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, një gjë e tillë u pamundësua, sepse kësisoji ishte edhe afati ligjor, kur do të mund të caktohej data e zgjedhjeve nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

PDK kishte kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, që ishte përkrahur edhe nga VV, derisa dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK kërkonin vetëm shkarkim të Qeverisë ose dorëheqje të Qeverisë.

Komento: