Opozita shpreson se zgjedhjet do të mbahen në nëntor.
Deputetët e opozitës presin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në nëntor të këtij viti, pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në disa subjekte politike, me ç’rast, siç thonë ata, do të rrëzohet Qeveria “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend.
Subjektet politike opozitare nuk pritet ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend pa përfunduar procesi zgjedhor brendapartiak, në të cilin proces ndodhen aktualisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por edhe partneri i madh i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
LEXO EDHE: Çfarë ndryshimesh përfshin Projektligji i punës dhe ai për lehonat?
Të dy këto parti të mëdha parlamentare janë duke i zhvilluar zgjedhjet e brendshme, të cilat janë karakterizuar me pakënaqësi të ndryshme, madje edhe me përleshje fizike mes anëtarëve të disa degëve partiake, shkruan tutje gazeta “Zëri”.
Javë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur iniciativën për rrëzimin e Qeverisë në bashkërendim me drejtuesit e dy subjekteve tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe Partinë Socialdemokrate, ndonëse kjo e fundit në disa raste e ka përkrahur qeverinë “Haradinaj” në Kuvend.
Sipas opozitës, qeveria “Haradinaj” sa më shpejt duhet të rrëzohet për shkak, siç kanë thënë ata, të skandaleve të shumta. Pakënaqësi me Qeverinë që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj ka edhe partneri i madh i këtij koalicioni (PDK-ja), duke reflektuar kështu në raportet jo të mira të ish-shefit të PDK-së dhe presidentit aktual të vendit Hashim Thaçit me shefin e Qeverisë për çështjen e kufijve me Serbinë dhe taksën 100 për qind ndaj saj.
Deputetët e opozitës kanë thënë për “Zërin” se zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend pritet të ketë në nëntor të këtij viti.