Opozita me kritika të ashpra për qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë

13:46 | 21 July 2019

Opozita me kritika të ashpra ndaj qeverisjes së Shpend Ahmetit.

Për më shumë se dy vite qeverisje të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti po cilësohen nga opozita si zhgënjyese për shkak të dështimeve në investime kapitale.

Sipas tyre, për këto vite nuk ka ndryshuar asgjë në kryeqytet dhe komuna e Prishtinës nuk është e interesuar në realizimin e projekteve kapitale.

Ata thonë se komuna ka ngecur në realizimin e projekteve kapitale për shkak të keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit.

Asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Gashi duke folur për lajmi.net, thotë se në bazë të raportit të auditorit po shihet keqmenaxhimi në shumë fusha e në veçanti investime kapitale.

Sipas tij, kjo për shkak se komuna ka investuar në projekte me vlera të vogla dhe nuk kanë investuar në projekte vitale.

“Nëse i referohemi raportit 6 mujorë shihet se nga 48 milionë sa ka qenë buxheti bashkë më bartjet janë shpenzuar më pak së 10 për qind. Ata pop vazhdojnë edhe më tutje me ngecje në realizimin e projekteve në investime kapitale sepse kanë bërë planifikimin e gabuar të shpërndarjes së mjeteve nëpër pozicione të ndryshme dhe tani më nuk mund të realizojnë buxhetin e planifikuar. Faktori i dytë është sepse kanë shkuar në projekte me vlera të vogla dhe nuk kanë investuar në projekte vitale siç është ndërtimi i shkollave, kanalizimeve, kolektorëve, unazave etj”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se kjo është si pasojë keqqeverisjes dhe keqplanifikimit, për të cilën ai thotë së do ta dëmtojë zhvillimin e komunës së Prishtinës.

“D.m.th për shkak të mos investimeve në projektet e mëdha assesi nuk ka mundësi që këta të arrijnë as me 50 për qind të shpenzimit të buxhetit të këtij viti. Kjo është një pasojë nga keqqeverisja, keqplanifikim dhe kështu po vazhdojnë me politikat që do ta dëmtojë shumë zhvillimin e komunës së Prishtinës”, ka tutje Gashi.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, ka adresuar kritika të shumta për gjitha vonesat dhe zvarritjet e projekteve kapitale.

Asamblisti i kësaj partie, Leutrim Retkoceri ka thënë për lajmi.net se janë tri pika kyqe që ka pak investime kapitale.

E që sipas tij është se investimet kapitale nuk janë prioritet i komunës, planifikimi është i dobët si dhe dështimi i kontratave.

“Janë tri pika kyçe pse ka investime të ulëta kapitale. Puna e parë është që nuk janë prioritet, puna e dytë është planifikimi i dobët që është tu u bërë dhe e treta është dështim i kontratave që lidhen, sepse këto kontrata nuk mbikëqyrjen si duhet nga komuna edhe operatorët që i marrin për të bërë investimet kapitale. Tani çështja e kontratave është se çdo kontratë që merret, 90 për qind e kontratave që janë për investime kapitale përfundojnë jashtë çdo afati kohorë që parashihet me kontratë. Tjetra është se nuk planifikohen si duhet. Edhe e para që e përmenda në fillim është se nuk janë në fokus investimet kapitale, ju mungon guximi. D.m.th një farë zymtësie e ka komuna e Prishtinës, një farë pështjellimi çoftë edhe me drejtori, çoftë edhe me qëllime të tyre”, ka thënë Retkoceri.

Sipas tij, në investime kapitale nuk është duke u bërë asgjë. Ai thotë se nuk është duke u realizuar asnjë projekt madhor.

“Në investime kapitale asgjë nuk po bëhet, nuk është ndonjë projekt madhor që është duke u realizuar. E për këtë më së miri kemi shembujt se çka ndodh me investime kapitale. Psh i kemi parë “shkallët e Dragodanit”, përafërsisht gati dy vite po behën që tashmë kanë përfunduar. Tjetra është “Plateja mbi Kurriz” që po behën më shumë se 3 vite që nuk kanë përfunduar punimet. Edhe auditori jap vërejtje edhe në investime kapitale edhe shpeshherë din mjetet me u marr nga investimet kapitale në kategori të tjera që është edhe shkelje ligjore”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, asamblisti Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë për lajmi.net se komuna e Prishtinës nuk është e interesuar që të bëjë investime kapitale, për shkak se, siç thotë ai, janë duke u marr me ndërtime aty ku ika interesa personale.

“Komuna e Prishtinës nuk është e interesuar që të bëjë investime kapitale, për shkak që janë duke u marr me ndërtime aty ku ika interesa personale edhe grupore edhe klanore. E kemi parë që edhe vitin e kaluar edhe këtë të gjitha punët e kuvendit komunal në shkëmbin pronash hartime të planeve të rëndësishme në vende të caktuar ku fillojnë ndërtimet edhe nuk janë duke iu interesuar investimet kapitale, po i zgjedhin problemet. kështu që shifrat janë më të vërtetë tmerruese”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka theksuar se duhet që të organizohen si opozita ashtu edhe pozita që ta largojnë nga pozita e kryetarit, Shpend Ahmetin.

“Mendoj që duhet të organizohemi krejt bashkë pa marrë parasysh pozitë apo opozitë dhe ta largojmë edhe kryetarin edhe këtë qeverisje që e ka bllokuar edhe Prishtinën. Ka me qenë shumë vështir kushdo që vjen pas 4 vjet qeverisjes së tij. Për shkak se 25 milion euro kanë tepruar vitin e kaluar, edhe në mënyrën siç është thash deri në fund vitit kemi me pas diku mbi 35 milion euro bartje të mjeteve që nuk do të investohen”, ka thënë Rrahmani.

Komento: