Opozita në “aksion”: Haradinaj nis takimet me qytetarët, LDK paralajmëron së shpejt

16:15 | 10 Shtator 2022

Qeveria Kurti është duke marrë shumë kritika për mënyrën e qeverisjes.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po i rikthehen terrenit, takimeve me qytetarë, pas kritikave që japin ndaj qeverisë aktuale, qoftë përmes deputetëve të tyre në Kuvend, por edhe në konferenca, paraqitje në media e postime në rrjetet sociale, shkruan Reporteri.net.

Partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja, ka nisur tashmë takimet me qytetarë, kurse partia e Lumir Abdixhikut, LDK-ja ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë në terren.

Më 7 shtator, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook njoftoi se nga kjo datë nis daljen në terren, ku tregoi se do të nis me Prizrenin.

“Kohërat e ndjeshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, kërkojnë sinqeritet e bashkëbisedim mes nesh.

Krijimi i hendekut të madh qeveri-qytetar, krizat në çdo pore të shoqërise, kanë sjellur qytetarin e Kosovës në ditë jo të mira për të dhe institucionet e Kosovës në prag të kollapsit.
Do fillojmë sot me një cikël bisedimesh me qytetarët tanë. Nisim në Prizren, për të vazhduar ditëve tjera në qendra të tjera.

Jeni të mirëseardhur të flasim hapur, të ndajmë brengat tona, të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook më 7 shtator, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj takimin e parë e mbajti me prizrenasit nga ora 18:00 ku tha se së bashku me ta biseduan për qeverisjen, situatën ekonomike, çmimet, krizën energjetike, dialogun me Serbinë e të tjera.

“Sot (7 shtator) në Prizren, nisa ciklin e bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës.
Interesimi i prizrenasve ishte i madh, e së bashku biseduam për qeverisjen, situatën ekonomike, çmimet, krizën energjetike, dialogun me Serbinë e të tjera.

Kam pranuar shumë komente nga qytetarët e Prizrenit dhe kam dhënë mendimet e mia për çështjet me të cilat ata preokupohen.

Kur bisedojmë bashkë, jemi më afër halleve të njëri tjetrit, rrjedhimisht jemi më afër zgjidhjeve për to”, ka shkruar Haradinaj.

Dy ditë më vonë, më 9 shtator, Haradinaj zgjodhi Kamenicën si qytetin e dytë për të biseduar me qytetarët, qytet që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Në kuadër të ciklit të bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës, sot (9 shtator) qëndrova në Kamenicë.
Shkëmbyem mendimet e idetë tona për dialogun me Serbinë, krizën ekonomike dhe energjetike në vend, si dhe gjendjen e rëndë në arsim.
Diskutuam edhe për probleme lokale, e bashkëbisedimi i hapur me qytetarët është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje për problemet”, ka shkruar Haraidnaj, shkruan Reporteri.net.

Tre ditë pasi AAK nisi daljen në terren, veprim të njëjtë ka paralajmëruar edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Është deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi në Facebook të bërë sot ka bërë të ditët se në javët në vijim zyrtarët e kësaj partie do të dalin në teren, ku do të bisedojnë me qytetarë e biznese nëpër fshatra e qytete.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se do të bisedojnë për sfidat nëpër të cilat po kalojnë në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe për qasjen e LDK-së në adresimin e këtyre sfidave, shkruan Reporteri.net.

“Në javët në vijim, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në qytete e fshatra për të biseduar me qytetarë dhe me biznese. Do të dëgjojmë secilin.

Do të bisedojmë për sfidat nëpër të cilat po kalojmë në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe për qasjen tonë në adresimin e këtyre sfidave.
Ju presim për të dëgjuar vlerësimet, kritikat dhe propozimet e juaja”, ka shkruar Hoti.

Ndërsa partia tjetër opozitare, PDK-ja muaj më parë ka qenë tejet aktive në diasporë ku ka zgjedhur kryetarët e degëve e nëndegëve, ndërsa nuk ka ndonjë njoftim nëse do të nisin intensivisht takime me qytetarët, edhe pse kryetari i saj Memli Krasniqi, ka vizituar komunat që drejtohen nga partia e tij

Komento: