Opozita nis koordinimin për rrëzimin e Qeverisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Opozita nis koordinimin për rrëzimin e Qeverisë

08:24 | 21 Maj 2019

Nis koordinimi i opozitës për rrëzim të Qeverisë.

Isa Mustafa, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se brenda kësaj jave do ta takojë liderin e LVV-së Albin Kurtin për të diskutuar rreth bashkërendimit të veprimeve opozitare për rrëzim të Qeverisë. Gjithashtu i pari i LDK-së ka njoftuar se ftesë për një gjë të tillë do t’i bëjë edhe kreut të PSD-së Shpend Ahmetit, partia e të cilit ka deklaruar se mirëpret ftesat për takime koordinuese, shkruan gazeta “Zëri”.

Edhe zyrtarë të LVV-së i kanë thënë gazetës “Zëri” se janë të gatshëm të bashkohen në iniciativën për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Megjithëkëtë ata kanë pranuar se opozita aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Duke marrë për bazë këtë fakt përfaqësuesit e koalicionit qeverisës mbeten të sigurt se nismat e tilla për mocion mosbesimi nuk do të rezultojnë me sukses. Përkundrazi, ata thonë se Qeveria do të vazhdojë edhe më tej t’i çojë përpara objektivat e saj.

Por njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë deri në fund të mandatit, pasi zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Komento: