Opozita: Shkaku i numrave s’po kemi ndikim në vendimmarrje

09:02 | 06 November 2022

Opozita në Kosovë po thotë se për shkak të numrave të vogël të deputetëve që kanë në Kuvendin e Kosovës, ata nuk po munden që të kenë ndikim në vendimmarrje.

Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë për Ekonomia Online se si parti janë konstruktiv dhe se janë duke e dhënë kontributin e tyre përmes mediave dhe Parlamentit.

“Me këta deputet që jemi ne si opozitarë sigurisht që po e japim fjalën tonë në Kuvend dhe unë dhe kolegët i kemi sektorët e ndarë dhe në përgjithësi jemi opozitë konstruktive dhe besoj shumë që kontributi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvend nuk është duke munguar, kjo është LDK-ja e vërtet dhe krejt kontributin tonë po e japim përmes deklarimeve tonë përmes mediave dhe përmes Parlamentit të Republikës”, tha ajo.

Bunjaku po ashtu u shpreh se LDK-ja bashkëpunon me partitë tjera opozitare aty ku e shohin që është interes i qytetarëve.

“Nuk do të thotë që gjithmonë jemi së bashku, LDK-ja ka qëndrimet e veta por nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë me partitë e tjera opozitare kur e shohim që është interes i qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se opozita ka numra të limituar dhe që zëri i tyre deri më sot pak po zë vend në realizimet e plan-programit të Qeverisë, raporton EO.

“Opozita ka numra të limituar brenda, pozita është me numra solid kështu që zëri i opozitës deri më sot pak po zë vend në realizimet e plan programit të tyre, deri më sot as një propozim i opozitës nuk ka zënë vend dhe mbështetje nga ana e opozitës dhe nuk ka depërtuar më tutje”, tha ai.

Dreshaj shtoi se si parti bashkëpunojnë me partitë tjera opozitare por që në numër janë të limituar dhe se mundësia e ndikimit tek pozita është e vogël.

“Unë mendoj se në segmentin e opozitarizmit partitë opozitare janë të bashkuara, ju i keni parë edhe në diskutime edhe në votime pra jemi bashkë, por praktikisht numrat tanë janë të vegjël të limituar dhe mundësia e ndikimit në vendimmarrje në pozitë është e vogël”, tha ai.

Komento: