Ka filluar mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës, pas tri javë greve.
Pas tre javësh grevë, sot ka filluar gjysmë vjetori i dytë në tërë shkollat e Kosovës.
Mirëpo pavarësisht se vendimi për ndërprerjen e grevës u mor të premten pas takimit që kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj pati me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kjo Sindikatë nuk e di nëse do të kompensohen orët e humbura apo jo.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për lajmi.net se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin se si do t’ia bëjnë.
“Meqenëse sot është dita e parë e fillimit të periodës së dytë në ndërkohë të mblidhen mësimdhënësit se si do të veprohet më tutje. Akoma nuk është marrë jë vendim i tillë se çfarë do të ndodhë me orët e humbura”, ka deklaruar Shala.
Ajo u shpreh e bindur se mësimdhënësit nuk do t’i mbesin borxh nxënësve.
“Jam shumë e bindur që mësimdhënësit do t’i kompensojnë njësitë mësimore të humbura. Nuk do t’ju mbesin borxh nxënësve assesi”, deklaroi Shala.