Orët e humbura gjatë grevës, flasin zyrtarë nga SBASHK-u

18:44 | 14 Shkurt 2019

Në janar të këtij viti të gjithë mësimdhënësit kanë hyrë në grevë. Greva zgjati tre javë deri sa u miratua kërkesa e tyre për rritje pagash.

Vendimi për ndërprerjen e grevës nga SBASHK-u u mor më 1 shkurt pas takimi që kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, pati me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Edhe pse zyrtarisht gjysmëvjetori i dytë në Kosovë ka filluar më 4 shkurt të këtij viti, ende nuk dihet nëse do të kompensohen orët e humbura, raporton më tutje lajmi.net.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, menjëherë pas fillimit të mësimit kishte kërkuar nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit që të kompensohen orët e humbura.

Mirëpo, SBASHK-u ende nuk ka vendosur për kompensimin e orëve të humbura.

Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, ka thënë për lajmi.net, se Ligji për Grevat, nuk i detyron mësimdhënësit që t’i kompensojnë orët e humbura.

Shala po ashtu ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Do të bisedojmë me përfaqësuesit grevistë të shkollave se si do të veprohet. Shumica e mësimdhënësve janë që të kompensohet orët e humbura”, ka thënë Shala.

Kujtojmë se mësimdhënësit kanë qenë në grevë për tre javë pasi që kanë kërkuar rritje të koeficientit për 0.3 për qind në të gjitha nivelet e arsimit.

Komento: