Kadri Veseli ka propozuar që orët e humbura në arsim të kompensohen në fundin e vitit shkollor.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Kuvendi mund të autorizojë Komisionin Parlamentar për Arsim, që të takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, dhe të SBASHK-ut për të gjetur një zgjidhje rreth kompensimit të orëve të humbura.
Veseli ka thënë se nga të dy palët ka gatishmëri për të arritur një marrëveshje, që orët e humbura të kompensohen në fundin e vitit shkollor.
“Jam takuar dy herë me ministrin e arsimit dhe SBASHK-un. Ka një klimë shumë pozitive për të kaluar kjo situatë. Unë do të kisha pas dëshirë, që Kuvendi i Republikës së Kosovës, të autorizojë Komisionin Parlamentar, dhe brenda një takimi një orësh kjo çështje kalon. Ministri i Arsimit është shumë i gatshëm që ta përmbyll këtë çështje”, ka thënë Veseli
Ai ka theksuar se orët e humbura do të duhet të zëvendësohen në fundin e vitit shkollor.
“Komisioni për arsim do të arrinte shumë shpejtë marrëveshjen që orët e humbura të kompensohen në fundin e vitit shkollor”, është shprehur ai.