Greva e mbajtur në arsim muaj më parë, bëri që shumë orë mësimore të humbin.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë para 3 javësh ka lëshuar një vendim sipas të cilit, mësimdhënësit obligohen që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës.
Madje, në vendimin e MASHT-it është përcaktuar edhe mënyra e zëvendësimit të këtyre orëve sipas një skeme të kombinuar që përfshinë, pesë ditë nga pushimi pranveror, 5 ditë të shtuna gjatë këtij viti shkollor dhe 5 ditë zgjatje të përfundimit të këtij viti shkollor.
E me këtë nuk u pajtuan Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Ata u shprehen se një vendim i tillë i ministrisë së arsimit, pa konsultim me SBASHK-un nuk mund të respektohet nga këta të fundit.
Në lidhje me këtë, SBASHK-u iu drejtuan gjykatës për të marrë verdiktin në lidhje me zëvendësimin e orëve të humbura.
Zgjidhje për këtë problem nuk u gjet as në mbledhjen e përbashkët të SBASHK-ut me Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin Parlamentar për Arsim.
Në anën tjetër, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja është shprehur se ky rezistim i SBASHK-ut duket më shumë çështje inati sesa diçka parimore.
“Rezistenca e SBASHK-ut karshi vendimit të MASHT-it për zëvendësim duket më shumë çështje inati sesa diçka parimore”, tha Qehaja.
Më tutje, Qehaja është shprehur se SBASHK-u vetëm po e zgjatë këtë çështje, kur dihet se edhe propozimi i tyre për zëvendësim nuk mund të jetë shumë më ndryshe sesa ai i Ministrisë së Arsimit.
“Nëse SBASHK-u tashmë ka pranuar që orët të zëvendësohen, atëherë është me të vërtetë e padrejtë që kjo të stërzgjatet, aq më shumë kur dihet që edhe propozimi nga SBASHK-u për zëvendësimin nuk mund të jetë aq i ndryshëm sesa ai i formatit të propozuar”, tha Qehaja.
Më tutje, ai është shprehur se nëse mësimdhënësit kanë të drejtë të mos i zëvendësojnë orët, duhet ditur se edhe nxënësit kanë të drejtë për ndjekje të procesit mësimor.
“Rikujtoj që përtej së drejtës nga ligji për paga për mos-zëvendësim të orëve të grevës, është e drejtë e patjetërsueshme e fëmijëve për ndjekje të procesit mësimor”, tha Qehaja në fund për lajmi.net.
Vlen të theksohet se greva e mësimdhënësve e cila zgjati 3 javë përfundoi me realizimin e kërkesave të tyre për ngritje të koeficientit.
Ligji për Pagat kaloi me disa pakënaqësi, pasi mësimdhënësit e ciklit të ulët klasor, u shprehën të pakënaqur me ngritjen e koeficientit.