Nga situata e krijuar mes MASHT-it dhe SBASHK-ut ka kanë pësuar vetëm nxënësit.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se mos-zëvendësimi i orëve ka shkaktuar telashe në shkollat e kësaj komunës.
Sipas saj, nga situata e krijuar mes MASHT-it dhe SBASHK-ut ka kanë pësuar vetëm nxënësit.
Shala në emisionin “038”, ka thënë se disa shkolla kanë mbyllur notat për periudhën e dytë të gjysmë-vjetorit të dytë, mirëpo sipas saj kjo i shkel të drejtat e nxënësve, pasi që vlerëson se për vetëm dy muaj nuk mund të bëhet një vlerësim i drejtë.
“Në momentin që kemi marrë vendimin nga MASHT-i për zëvendësimin e orëve, e kemi shpërndarë neper shkolla. Është krijuar një situatë në mes të MASHT-it dhe SBASHK-ut por fatkeqësisht pasojat i kanë bartur fëmijët”, ka thënë ajo. “Sipas informatave që kemi në terren, disa shkolla kanë përmbyllur notat. Notat nuk janë dashur të mbyllen sepse nuk di se çfarë mund të vlerësosh për dy muaj. Kështu u mohohet e drejta fëmijëve”.
Ajo tutje ka shtuar se Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk mund të marrin asnjë masë derisa MASHT-i dhe SBASHK-u ende nuk kanë marrë vendim prej Gjykatës.
Shala e ka cilësuar si ndërhyrje në kompetencat e drejtorisë komunale, vendimin e SBASHK-ut për pushimin pranveror.
“Derisa janë në gjykatë MASHT-i dhe SBASHK-u na kanë futur në lajthitje edhe neve DKA-ve sepse nuk po dimë se çfarë masash të merren. SBASHK-u është përzier në kompetencat tona në pushimin pranveror. Në njërën nga shkollat është dërguar një mesazh ku u është caktuar orari i mësimdhënësve se kur duhet të dalin në shkollë, mirëpo Sindikata e ka mohuar një gjë të tillë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq lidhur me pagesën e çerdheve publike për muajin kur është mbajtur greva, ajo ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret.
“Prindërit kur t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhet publike duhet me pas parasysh se ato mund të hyjnë në greva. Nuk kemi vendim të prerë nëse duhet të lirohen nga pagesa për muajin që ka pasur grevë”, ka thënë ajo.