Organizata QIKA nis peticion për heqjen e taksës për produkte menstruale

20:30 | 09 Maj 2023

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka filluar peticionin për heqjen e taksës për produkte menstruale.

Sipas tyre shteti i detyron gratë në Kosovë të paguajnë 18 për qind taksë për këto produkte, sepse i konsideron ato si produkte joesenciale.

“Shumë gra nuk mund të përballojnë blerjen e pecetave, tamponëve apo produkteve të tjera menstruale për shkak të kushteve ekonomike. Në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, ato detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin gjatë ciklit menstrual”.

“Për gratë, qasja në peceta menstruale është esenciale dhe duhet të trajtohet si e tillë prej shtetit. Taksa për produkte menstruale është pengesë për gëzimin e të drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë, rrjedhimisht ua shkelë të drejtat e njeriut dhe është kundër kushtetuese” thuhet në njoftim.

QIKA, mes tjerash, ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta nënshkruajnë peticionin për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH-së) prej 18% për pecetat menstruale dhe tamponët.

Komento: