Lojërat e fatit vazhdojnë të organizohen ilegalisht në Kosovë.
Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar 5 persona, të cilët kanë organizuar lojëra të fatit.
Të arrestuarit janë nga dy qytete të ndryshme, njëri nga Deçani, ndërsa 4 të tjerë nga Gjakova, shkruan Indeksonline.
Në Deçan, saktësisht në fshatin Isniq, rreth orës 02:30, njësitet policorë kanë arrestuar të dyshuarin mashkull K-Shqiptar nën dyshimin e bazuar se i njëjti në lokalin e tij ka organizuar lojëra të fatit.
Si prova materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e çipave. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Gjakovë, janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë të cilët nga njësiti policor janë hasur duke luajtur lojëra fati në një lokal pa emër, pronari i të cilit lokal nuk kishte qenë aty dhe nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë konfiskuar: tre monitor, një server i kamerave, një dreambox, një roter dhe 170 euro para të gatshme që kishin qenë në aparate të lojërave.
Përveç njësive policore në atë lokacion kanë dalë edhe zyrtarët e doganës së Kosovës të cilët e kanë bërë konfiskimin e tre aparateve të lojërave të fatit si dhe inspektorët komunal që e kanë mbyllë lokalin. Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.